Nga Besa MANAJ
Shqipëria prej kohësh është bërë pronë e interesave të huaja dhe e klientelizmit të korruptuar, ndërsa qytetarët e saj janë dhunuar deri në palcë të dinjitetit. Ngjarja e fundit në Theth dhe “paketa e maleve ” nuk është një episod i izoluar, por pjesë e një strategjie të pandalshme për të shitur pasurinë kombëtare dhe për të rrënuar identitetin shqiptar.
Ky është një skenar i përsëritur që nga shembja kriminale e Teatrit Kombëtar, te rasti i Butrintit, te koncesionet famëkeqe për “investitorët strategjikë”, shfrytëzimi i minerave, qindra PPP të errëta etj, gjithçka i ka shërbyer vetëm një qëllimi:
RRËNIMIT KOMBËTAR!
Rasti i Thethit është edhe më i rëndë, i mashtroi poshtërsisht emigrantët, u bëri thirrje të kthehen dhe të investojnë në vendlindje dhe sot i përbuz në mënyrë mizore, duke shkatërruar gjithçka që ata ndërtuan me djersë dhe shpresë për vendin.
Kjo është një formë brutale e genocidit kulturor, moral dhe ekonomike që Edi Rama dhe aparati i tij po ushtron ndaj shqiptarëve. Asnjë armik historik nuk ka arritur të bëjë një dëm kaq të thellë dhe te jetë kaq i pamëshirshëm ndaj këtij kombi.
Banorët e Thethit nuk kanë nevojë thjesht për postime solidariteti në Facebook apo për intervista që bien në harresë pas 24 orësh. Ata kanë nevojë për akte konkrete, të organizuara dhe një rezistencë të unifikuar, të përbashkët, kundër dhunës shtetërore dhe arrogancës së një regjimi që s’ka më as frikë, as turp.