Presidenti amerikan, Donald Trump, udhëzoi dje Departamentin e Drejtësisë që të ofrojë “çdo informacion dhe të gjitha të dhënat” rreth të ndjerit Jeffrey Epstein, mikut të tij të dikurshëm që kreu vetëvrasje në vitin 2019, ndërkohë që priste gjykimin në lidhje me akuzat për trafikim të vajzave të mitura.
“Bazuar në sasinë qesharake të vëmendjes mediatike për Jeffrey Epstein, kam kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi që të paraqesë çdo dëshmi të rëndësishme nga juria e madhe, me kusht miratimin e gjykatës,” shkroi Trump në Truth Social.
Pas njoftimit të Trump, Bondi u përgjigj duke thënë se janë gati të kërkojnë nga gjykata nesër që të hapen transkriptet e jurisë së madhe. Megjithëse kërkohet pëlqimi i gjykatës për një veprim të tillë, nuk është e qartë nëse Trump po autorizon publikimin e këtyre dokumenteve apo nëse dhe kur kjo do të ndodhë.
Urdhri i Trump për Departamentin e Drejtësisë vjen ndërsa polemika mbi mënyrën se si ai ka trajtuar dokumentet nga hetimi për Epstein hyri në një fazë të re të enjten, pasi administrata e tij po përballet me vështirësi për të përmbushur premtimet për të publikuar detaje mbi rastin e trafikimit seksual.
Gjithashtu, ky zhvillim ndodh ndërkohë që The Wall Street Journal pretendon se një letër me përmbajtje seksuale provokuese mbante emrin e Trumpit dhe ishte përdorur në një dokument të vitit 2003 për ditëlindjen e 50-të të Epsteinit. Trump e mohoi se e kishte shkruar letrën, duke e quajtur atë “të rreme, keqdashëse dhe shpifëse.”