Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio uroi Jennifer Geerlings-Simons për zgjedhjen e saj si presidente e Surinamit. Zyra për Çështjet e Hemisferës Perëndimore e Departamentit të Shtetit shkroi në platformën X në maj se “zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, duke theksuar se SHBA kishte dërguar vëzhgues të trajnuar në vendvotime.”
Urimi amerikan për zgjedhjet presidenciale në Surinam është krejt i ndryshëm nga ai i Ambasadës amerikane në Tiranë. Qëndrimi amerikan për ato zgjedhje tregon se Departamenti i Shtetit reagon me urim vetëm kur zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme dhe jo kur ato janë një farsë elektorale.
Qëndrimi amerikan për zgjedhjet në Surinam në të vërtetë rrëzon indirekt farsën elektorale të 11 majit në Shqipëri ku në asnjë rresht të Ambasadës amerikane nuk u tha se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme.
Përfundimet e Departamentit të Shtetit për ndershmërinë e zgjedhjeve ndikojnë politikën për sanksione ndaj atyre që dëmtojnë proceset zgjedhore apo programet e ndihmës së sigurisë me këto vende.
“Shpesh është publiku në këto raste ai që rrezikon jetën për të folur kundër zgjedhjeve të padrejta dhe jo të besueshme,” tha Nicole Widdersheim nga organizata Human Rights Watch. “Ambasada e SHBA mund të jetë i vetmi ent që mund të hedhë dritë mbi këto procese të këqija.”