Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, përmes Sokol Sadushit, po tenton të ndërhyjë dhe të uzurpojë edhe mandatin e fundit të mbetur në Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij nuk është vënë ende nën kontrollin e mazhorancës.
Berisha e cilëson veprimin si një “puç institucional” dhe një përpjekje të turpshme për të mbytur çdo mendim të pavarur brenda Gjykatës Kushtetuese, duke e krahasuar situatën me atë të një “narkoshteti”.
“Konstatimi i militant Sadushit është nul, është antikushtetues, nuk ka asnjë vlerë. Fakti që ai ndërmerr një hap të tillë, ai përbën një puç kundër Gjykatës Kushtetuese, në fakt kundër shtetit.
Këtu gjithçka bëhet që të unifikohet, të shuhet përfundimisht një mendim që gjithnjë është pakicë aty, por që është në favor të Kushtetutës, dhe që nuk arrin të mposhtin, ta blejnë, ta intimidojnë zërin e saj, mendimin e saj.
Ajo që ndodh në Gjykatë pra është përpjekja e verbër e Edi Ramës që me Sokol Sadushin jashtë çdo lloj llogjike të kapë … se këto Apelin e këto të tjerat i ka në grusht të gjitha, një vend që nuk e ka kapur dot falë një emërimi që ka bërë ish-presidenti Ilir Meta, e emëruar për afatin 9 vjeçar.
Pra është një komedi, e turpshme se si, një narkoshtet, se vetëm në narkoshtet mund të ndodhë kjo, mobilizon…
E keni parë ju, edhe pëllumbesha bën takime, stërtakime se si të grabisin një mandat që u ka ngelur pa grabitur në Gjykatën Kushtetuese.
Akt i shëmtuar. Që në momentin që merr në dorë në kundërshtim me Kushtetutën, çështjen Sokol Sadushi, aty ka marrë fund çdo gjë”, tha Berisha.