Kur Edi Rama flet për punësime me konkurs apo reformim të administratës publike, thjesht nuk duhet marrë seriozisht. Thirrjet e tij për “gjak të ri” në drejtimin e institucioneve janë fasadë. Shembull i freskët i kësaj është emërimi i drejtorit të ri të Portit të Sarandës, Admir Malaj, mëson Lapsi.al.
Ky i fundit ka qenë deri para pak kohësh drejtor porti në Vlorë dhe kryetar i PS-së. Rama e përzuri nga drejtimi i partisë në Vlorë në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Motivi ishte se Malaj bëhej pengesë për prurje të reja në parti. Por zgjedhjet mbaruan dhe me nder konkurset filluan të trumbetohen nga kryeministri.
Admir Malaj nga drejtor porti në Vlorë katapultohet në drejtor porti në Sarandë, vend që deri disa ditë më parë e mbante Alket Qëndro. Këtë të fundit e ka marrë vetë Rama në telefon për t’i kërkuar dorëheqjen. Natyrisht që fjalën e liderit suprem s’e bën dot dysh askush. Qëndro paraqiti dorëheqjen.
Malaj duke shfrytëzuar edhe shoqërinë me ministrin Pirro Vëngu, katapultohet në drejtimin e Portit të Sarandës. Nuk është problemi pse shkoi ai drejtor sërish si emër i përvecëm.
Çështja është te mendësia e Edi Ramës, tek tallja që ai bën me plot të tjerë që mashtrohen dhe dërgojnë CV sepse besojnë vërtet tek konkurset dhe shohin se si në fund emërohen shokët e ministrave, kushërinjtë dhe njerëzit e tarafit të deputetëve e zyrtarëve të partisë-shtet. Nuk ka konkurse me Ramën! Gjithçka është e paracaktuar! ©LAPSI.al