Një prej emrave më të mëdhenj në historinë e mundjes, Hulk Hogan, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.
Mediat amerikane raportojnë se legjenda e WWE ndërroi jetë të enjten në mëngjes në shtëpinë e tij në Clearwater, Florida, pas një arrestit kardiak.
Vdekja e tij ka ardhur si një tronditje e madhe për fansat, pasi vetëm pak javë më parë bashkëshortja e tij mohoi zërat se ai ishte në gjendje kome, duke deklaruar se “zemra e tij ishte e fortë” pas një operacioni të zakonshëm në qafë.
Në vitet e fundit, Hogan kishte folur shpesh për problemet me shëndetin dhe faktin se kishte kaluar mbi 25 ndërhyrje kirurgjikale në dekadën e fundit, përfshirë operacione në shpinë, gjunjë, ije dhe shpatulla.
Prej dekadash ai konsiderohej si një ikonë e padiskutueshme e WWE, duke qenë fytyra që e ktheu këtë sport nga një promovim rajonal në një fenomen botëror në vitet ’80. Ai ka qenë protagonist në 8 nga 9 eventet e para të WrestleMania, duke e bërë këtë ngjarje aq të famshme sa është sot.
Megjithatë, karriera e tij nuk ka qenë pa polemika. Në vitin 2007, një video ku ai përdorte një fjalë raciste u bë publike, duke bërë që WWE ta përjashtonte përkohësisht nga Hall of Fame në vitin 2015. Ai kërkoi ndjesë më vonë, duke theksuar se ishte rritur në një lagje të vështirë ku përdorimi i atij termi ishte i zakonshëm.
Pas kthimit të tij në WWE, publiku e priti me duartrokitje, por edhe me fishkëllima të sikletshme në disa raste.
Përveç ringut, Hogan ka pasur edhe karrierë në aktrim, duke u shfaqur në filma si Rocky III, Gremlins 2, The A-Team dhe Gnomeo and Juliet. Së fundmi ishte bërë pjesë e fushatës së Donald Trump, duke u shfaqur si mbështetës i hapur i tij.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Hulk Hogan ka prekur miliona fansa në mbarë botën, me rrjetet sociale që janë mbushur me homazhe në nder të tij.
“E vështirë të përshkruhet ndikimi që kishte ky njeri në fëmijërinë tonë. U prehsh në paqe, Hulkster!” – shkruhet në një prej komenteve emocionuese të postuara në rrjet.