Nga Petrit VASILI
Shumë po flasin e po thonë se aktualisht, pas arrestimit të kryetarit të saj, Bashkia e Tiranës është pa drejtim dhe e ç’organizuar; ndaj ka kaos, plehra, mungesë uji dhe shërbimesh bazike.
Por e vërteta është krejt ndryshe, sepse asgjë nuk ka ndryshuar dhe Bashkia është prej 21 vitesh në të njëjtat duar të Edi Ramës dhe në të njëjtën rrugë plaçkitëse si edhe më parë.
Tani plaçkitja është diversifikuar: në duart e Ramës, ministrave dhe deputetëve. Thjesht ka kaluar nga dikur një dorë, në një grabitje plurale, ku secili rrëmben copën që mundet.
Në plot gjashtë muaj që kryetar Bashkie de facto është Edi Rama, Tirana është po e njëjta: me kushte mizerable, me kulla që nuk ndalen dhe beton që shkatërron qytetin pa kthim.
Është i njëjti Këshill Bashkiak që, me një tufë palaçosh rilindas, voton çdo lloj poshtërsie kundër qytetit dhe qytetarëve të Tiranës.
Tirana piqet në vapë, kuterbon erë urinë dhe jashtëqitje, ka një transport urban afrikan, ka një lumë që më shumë fëlliq se sa bie ujë, ka male kullash betoni që po vrasin çdo çast shëndetin dhe mjedisin – dhe nuk ndalen, duke u ngritur çdo ditë. Ka një trafik vrastar, pra është një qytet kurth për qytetarët e vet.
Tirana, në duart e Ramës dhe Rilindjes, është shndërruar në një prehë ku çakenj gjithfarësh kafshojnë pa mëshirë.
Asnjë shpresë nuk ka Tirana me Ramën dhe rilindasit, sepse për ta, Tirana është një bankomat gjigant që prodhon para pa pushim.
Tirana, në duart e Edi Ramës, është në një agoni dhe dhënie shpirt pa kthim.
Ndaj, kjo teoria që Tirana është tani pa drejtim, ka zero kuptim, sepse Tirana ka të njëjtin drejtim të shëmtuar, që quhet Rama dhe Rilindje në drejtimin e saj prej më shumë se 21 vitesh.
Stafetat Rama–Veliaj janë dhe mbeten dy anë të së njëjtës medalje.