Nga Rexhep POLISI
Me Bujar Xhaferrin kam më pak se dy vjet që njihem nga afër, ndonëse si poet dhe gazetar kam njohje të hershme me të. Në vitet ’80 Bujari zgjoi interes të veçantë tek lexuesi dhe kritika letrare për poezitë e tij që botoheshin në gazetat letrare të kohës, sidomos te “Drita” e “Nëntori”. Ndërsa pas viteve ’90 Bujari la gjurmë në gazetarinë shqiptare. Që në numrin e parë të gazetës “RD” më 5 janar 1991 ai arriti të krijojë një profil të tij në stilin e veçantë të të shkruarit.
Pas njohjes, jam bërë mik me Bujarin dhe pothuajse çdo ditë e pijmë bashkë kafen e mëngjesit. Përherë me çantën e shpinës ku mban laptopin, ai ulet në lokal dhe sapo mbetet vetëm nis dhe shkruan. Ashtu siç ka emrin ka edhe shpirtin, njeri bujar dhe fisnik. Të gjithë ata që e njohin e shohin me admirim dhe mjaft prej tyre e thërrasin “profesor”.
Bujar Xhaferri nuk ka punuar asnjë ditë në punëra zyrtare, madje, siç thotë ai, qëndron larg zyrave dhe zyrtarëve. Në kohën e diktaturës ka punuar si mësues ndërsa në demokraci gazetar. Edhe pse është një ndër poetët më të mirë, ai nuk di të mburret, madje as që i pëlqen ta quajnë poet.
Vonë mësova se Bujari vuante nga një sëmundje dhe pret të bëjë një operacion të vështirë. Ai asnjë herë nuk e shfaq dhimbjen, nuk di të ankohet apo të qahet, por unë e shoh se si vuan. Di ta lexoj dhembjen e poetit, por nuk kam fuqi dhe as mundësi t’ia lehtësoj atë. Sa herë ndahem prej tij ndjej një pikëllim dhe trishtim…
Edhe pse ka punuar një jetë të tërë, Bujari mezi arriti të marrë një pension qesharak pasi vitet e punës i ishin djegur në zyrat shtetërore në revolucionin e ’97-tës! Bujar Xhaferri meriton shumë më shumë si personalitet i letrave shqipe, por askush nuk kujtohet ta propozojë për të marrë një pension të veçantë.
Kryeministri i tanishëm e njeh shumë mirë Bujar Xhaferrin, kanë qënë miq që në kohët e zeza të diktaturës, i kishte lidhur letërsia dhe arti. Nuk e di se si e sheh sot Rama nga karrigia e kryeministrit mikun e tij, por i kujtoj se Bujar Xhaferri e meriton më shumë se tjetërkush që e ka përfituar pensionin e veçantë.
Teksa shkruaj këto radhë, pa dijeninë e tij, sërish ndjej trishtim dhe nuk di a do të mundet Bujari ta bëjë atë operacion të vështirë, por që për të është jetik! Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të lutem për mikun tim të mirë, Bujar Xhaferri!