Deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi, akuzoi publikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se është thjesht noteri i Kryeministrit Edi Rama, pasi çertifikoi farsën e 11 majit.
I ftuar në A2, Këlliçi theksoi se denoncimi i farsës zgjedhore po bëhet për shqiptarët dhe për misionin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, që ende kanë kohë për të përpiluar raportin përfundimtar për zgjedhjet.
“Nuk besoj se ka pasur njeri dyshim për vendimin e KQZ, është paradhoma e Kryeministrit dhe levë e Qeverisë. Pra e gjithë kjo betejë e bërë nga Partia Demokratike, faktet e bëra publike, videot, fotot, e të gjitha, nuk besoj se ka pasur ndonjëherë ndonjë qëndrim nga ana e PD që do të reflektonte KQZ. Ajo është aty noter, për epshet elektorale të Edi Ramës dhe këtu mbyllet kjo histori.
Ne këtë po e bëjmë pikësëpari për shqiptarët, dhe mbi të gjitha për misionin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, që ende kanë kohë për të përpiluar raportin përfundimtar për zgjedhjet dhe të gjithë të shohin. Jemi në 27 korrik dhe po flasim akoma për farsën elektorale”, tha Këlliçi.