Beneti “Oksfordian” që mat aktorët me litra rolesh dhe kilogramë dramë

Nga Luçiano BOÇI

Po lexoja me vëmendje SQARIMIN e Benetit për largimin nga “puna” të aktorëve Simon Shkreli dhe Vladimir Doda.

Në fillim vura duart në kokë nga fillimi i parashtrimit por dhe duke nënqeshur hidhur.

Pastaj mendova mos Beneti kishte “ba humor” nga ai tipiku i Shkodrës, por që mbeti vetëm dyshim.

Kur arrita nga fundi dhe preka seriozitetin pompoz “sqarues” të Benetit ia plasa tamam gazit.

Në këtë paraqitje që më shumë i ngjante një raporti partie se sa një analize kulturore, Beneti njohur së fundmi si “Oksfordiani i PS-së”, ka ndërmarrë një përpjekje “shkencore” për të shpjeguar punën e aktorëve në bazë të EFIKASITETIT, EFEKTIVITETIT, PRODUKTIVITETIT DHE CILËSISË SË PUNËS.

Këto terma i do kaq fort sa i ka shkruar dhe me germa kapitale. Për të treguar dhe peshën e madhe që ato kanë për mendjen e Benetit.

Një katërkëndësh terminologjik që do t’i shkonte më shumë një fabrike tullash në vitet ’80 se sa skenës së teatrit sot.

Po të ndiqnim logjikën e Benetit, aktori duhet me pasë “output” të matshëm me njësi litrash ose kilogramë ose me:

  • Efikasitet = sa dialogë për minutë
  • Efektivitet = sa duartrokitje për akt
  • Produktivitet = sa role në muaj apo vit
  • Cilësi = sa shpesh i del zani, pa e marrë etja

Kjo mënyrë të menduari nuk është gjë tjetër veçse një rikthim i metodave të realizmit socialist, ku edhe poezia kishte plan, recitimi kishte kuotë dhe spektatori duhej të qante në skenën e pestë.

Arti reduktohet në një produkt me “output”, ku aktori nuk është krijues, por zbatues.

Një lloj punëtori emocional që vlerësohet me tabelë excel.

Kjo është arsyeja nder ne pse kultura po zhbëhet.

Sepse ajo trajtohet si sektor ndërtimi.

Në vend që të investohet në liri krijuese, në përmbajtje, në përballje me shoqërinë, artistëve u kërkohet të “justifikojnë rrogën” me KPI (Key Performance Indicators). Është si të kërkosh që një poet të dorëzojë 3 poezi në ditë me rimë ABAB dhe frymë revolucionare.

Në thelb, ajo që Beneti shfaq me këtë gjuhë të përçudnuar është një krizë thelbësore e të kuptuarit të artit dhe kulturës, ku administratori e sheh veten si “kontrollor performance” dhe jo si mbështetës i shpirtit të lirë.

Benet kultura nuk matet me normë. Aktori nuk është sahat. Dhe skena nuk është linjë montimi!

Image

About Redaksia

Check Also

Ku je o Bajram Begaj se nuk po të shohim më as si qytetar, pa lere më si president?!

Nga Ndriçim KULLA Turpi të mbuloftë o Bajram Begaj, në se  këto që po thuhen për …