Zhupa: Sot është një ditë e trishtë për median shqiptare! Të merren masa nga AMA dhe Parlamenti!

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka nisur një protestë para godinës së News24, e cila prej mëngjesit të së shtunës, më 9 gusht, është zaptuar nga Policia e Shtetit pa vendim gjyqësor. Në protestë kanë marrë pjesë gazetarë, politikanë, personazhe publike dhe aktivistë.

Prej tre ditësh, 230 gazetarë, staf teknik dhe punonjës të Focus Media Group dhe Panorama Group nuk lejohen të hyjnë në ambientet e News24, BalkanWeb dhe Panorama, duke paralizuar punën e këtyre mediave.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Mediave, Ina Zhupa, e pranishme në protestë deklaroi se, sot është një ditë e trishtë për median shqiptare. Është një ditë censurë dhe një ditë ku demokracia ka dhënë pak nga vetja.

“Sot jemi më pak të lirë dhe kemi një dritare më pak për të shprehur mendimin. News24 dhe mediat e tjera të lidhura me të në grupin mediatik nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre dhe nuk po mund t’i japin lajmin publikut. Ky është interesi publik – të ketë liri shprehjeje dhe informacion të pakontrolluar e të pacensuruar.” -theksoi deputetja

Ajo shtoi se: “Kjo media, ashtu si shumë të tjera që nuk u përkulën ndaj linjës së qeverisë, janë goditur. News24 nuk u nënshtro dhe po paguan çmimin duke u përballur me policinë dhe ushtrinë, të cilat nuk lejojnë gazetarët të bëjnë punën e tyre.”

Deputetja paralajmëroi se do ndjekë të gjitha hapat ligjorë: “Do kërkojmë zyrtarisht nga Autoriteti i Mediave Audiovizive që të reagojë, sepse sot një media nuk ka sinjalin e saj, siç e kërkon ligji. Do kërkojmë gjithashtu nga parlamenti që të marrë masa urgjente dhe të mblidhet për të diskutuar rreth lirisë së medias në vend.”

“Çdo ndërkombëtar duhet të dijë se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një biznes, por për lirinë e shprehjes, një të drejtë kushtetuese. Gazetarët u përballën me policinë dhe ushtrinë pa bërë asgjë tjetër, përveçse iu dhanë qytetarëve një dritare lirie,” përfundoi Ina Zhupa.

About Redaksia

Check Also

Zjarri në Fushë Arrëz/ Kryebashkiaku: I çova mesazh ministrit për ndërhyrje nga ajri, por asnjë reagim!

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në fshatin Xath të …