Një ngjarje e rëndë ka tronditur Llogaranë dhe opinionin publik. Prej disa ditësh, në Malin e Llogarasë, një tufë prej rreth 22 kuajsh të egër që shëtisnin të lirë nëpër pyje u qëlluan me armë gjahu nga një banor i zonës. Pas sulmit, disa prej tyre u gjetën të plagosur me saçme, ndërsa katër kuaj ngordhën. Pjesa tjetër e tufës është shpërndarë dhe strehuar në zonat e thella të Karaburunit.
Autori i dyshuar i kësaj masakre është identifikuar nga policia si Selfo Merkohitoj, banor i Dukatit, fshat në rrëzë të Llogarasë. Sipas burimeve lokale, Merkohitoj nuk është i panjohur për autoritetet, pasi dyshohet për zjarrvënie dhe prerje të paligjshme të pyjeve. Në momentin e ngjarjes, raportohet se ai ishte i shoqëruar edhe nga djali i tij, K. Merkohitoj.
Banorët e zonës thonë se familja Merkohitoj është e njohur për dëmtimin e pyjeve të Llogarasë dhe bashkëpunimin me biznese të ndryshme në zonë. Aktualisht, prokuroria ka nisur hetimet për krimin ndaj kafshëve dhe dëmtimin e ekosistemit, ndërsa organizatat mjedisore kërkojnë që autorët të mbajnë përgjegjësi maksimale ligjore.
Masakra ndaj kuajve të egër të Llogarasë ka ndezur debat të fortë publik, duke rikthyer vëmendjen te mbrojtja e natyrës dhe ndëshkimi i ashpër për ata që shkatërrojnë pasuritë e rralla të vendit.