Gramshi vijon në flakë, digjen 42 banesa në Skënderbegas, rrezikohen edhe zonat përreth

Zjarret në zonën e Gramshit vijojnë prej tre ditësh, ku flakët e mëdha kanë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe 80 koshere bletësh. Gjithashtu njoftohet se 130 krerë bagëti të imta dhe gjedhë janë djegur në flakët apokaliptike që mbuluan zonën.

Mbrëmjen e djeshme, vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Gramsh kanë vijuar me intensitet të lartë, duke përfshirë fshatin Ermenj (Njësia Administrative Skënderbegas) dhe zonën e Teqesë së Dushkut, ku raportohen ende disa vatra aktive.

Sipas autoriteteve lokale, ekipet e emergjencave civile po përballen me vështirësi të mëdha për izolimin e flakëve për shkak të dendësisë së lartë të pyllit. Aktualisht, vijon djegia në pjesën e sipërme të fshatit, në krahun lindor, dhe ekziston rreziku që zjarri të shtrihet në territorin e Prefekturës Korçë, nëse nuk vihet nën kontroll.

 

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm, është punuar për izolimin e zjarrit në pyllin me pisha në drejtim të fshatit Nartë, ku është arritur ndërprerja e përparimit të flakëve.

 

Njësia Administrative Kukur: Vatra mbetet problematike, por ekipet kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të saj gjatë natës.

Njësia Administrative Kodovjat: Vatra është monitoruar dhe nuk janë shënuar riaktivizime gjatë orëve të fundit.

Bilanci paraprak i dëmeve

Sipas të dhënave zyrtare:

42 banesa janë djegur në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë përreth.

Janë humbur:

130 krerë bagëti të imta

22 gjedhë

1 thundrak

80 koshere bletësh

shumë shpendë

Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura, për të shmangur rrezikun e ndonjë epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse.

Numri i të evakuuarve është rritur në 46 persona, pas akomodimit të 6 banorëve të tjerë mbrëmjen e kaluar në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve një ditë më parë.

About Redaksia

Check Also

Fati i mercenarëve që Rama i rrëmbeu LSI-së…

Dy ditë më parë u dha lajmi se SPAK mori në pyetje, për mbi tre …