Spektakli i dhembshurisë, skenari i paaftësisë

Nga Denisa VATA

Sot, ndërsa Shqipëria ka humbur mbi 50 mijë hektarë tokë nga zjarret, kryeministri poston një foto të një djali që shpëtoi një qen, me mbishkrimin “Respekte”.

Në rrjetet sociale qarkullojnë video me një kec që pi ujë nga dora e këshilltarit të ministrit, një kalë i djegur dhe një dele e futur në motor për t’u shpëtuar. Një karnaval fotografish që shpërndahen si medalje humanizmi, sikur të kishim shpëtuar Amazonën, jo disa kafshë të etura në mes të një vendi që digjet.

Dhembshuria për kafshët është njerëzore, por kur kthehet në objektiv kryesor të kamerës, ajo shndërrohet në perde tymi që mbulon zjarret e vërtetë. Nga ekrani duket sikur jemi një komb vegjetarianësh të përkushtuar, jo një vend pa zjarrfikës të kualifikuar, pa avionë për shuarje, pa plan për menaxhimin e zjarreve.

Disa bashki të vendit sot hapën tendera për masat kundër zjarreve, ndërkohë që flakët tashmë kanë përfshirë një pjesë të madhe të pyjeve.

Këto imazhe nuk janë thjesht lajme. Janë spote publicitare të një qeverie që ka zbuluar se është më e lehtë të shpëtosh një kec për kamerën sesa një pyll të tërë nga flakët. Sa më shumë na tregojnë foto që na prekin zemrën, aq më pak ndihen të detyruar të bëjnë punën.

Zjarrfikësit tanë të paktë dhe të pajisur keq meritojnë respekt, por shumica marrin rrogën pa pasur aftësitë e duhura, ndërsa shërbimet e pyjeve janë mbushur me patronazhistë, jo specialistë. Nëse patronazhistët do të ruanin pyjet me të njëjtin zell që ruajnë votat, sot nuk do kishim asnjë shkop të djegur.

Në këtë vend, sa më shumë prekim emocionin, aq më pak prekim problemin. Dhe kështu, ndërsa flakët hanë pyjet, ne ushqehemi me foto që na mbushin sytë, por boshatisin mendjen. Në fund, e vetmja foto që duhet të na mbetet para syve është ajo e një qeverie kaq të paaftë, saqë edhe zjarret duket sikur e zgjedhin Shqipërinë për t’u shuar… vetë.

About Redaksia

Check Also

Karikatura e shoqërisë civile!

Nga Iva V.GRILLO Vetëm në Shqipëri dëgjoj që personi që ndan kulmin e shtëpisë dhe …