Berisha: Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore dhe një gjykatës, por KLGJ dhe KLP nuk thanë asnjë fjalë të vetme

Kryetari i PD, Sali Berisha, nga jashtë SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, tha se, Rama sulmoi egërsisht prokuroren Gjeli, vetëm pse ajo kishte ndjekur në mënyrë të përpiktë raportin e policisë së Shkodrës në një çështje të caktuar.
Sipas liderit të opozitës, pas prokurores, Rama i është vërsulur edhe një gjyqtari me mbiemrin Balliu, të cilin Berisha e përshkroi si një gjykatës të ri dhe me integritet, që kishte zbatuar vendimin e qeverisë për të njohur të drejtën e parablerjes për disa qytetarë, sipas një akti të firmosur më herët nga vetë kreu i qeverisë.
“Së dyti, ju e patë, Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës.
Dhe pas prokurores Gjeli që nuk la turfullim pa bërë kundër saj, iu vërsul një gjykatësi tjetër, në mos gabohem, Balliu mbiemër, për fajin e vetëm që ky gjykatës me karakter për ligjin, kishte zbatuar pikë për pikë vendimin e qeverisë.
Ky gjykatës, në përputhje me vendimin, i cili i njihte shkelësit e ligjit të drejtën e parablerjes me firmë të Edi Ramës, kishte vendosur masën e sigurisë, sepse Edi Rama pavarësisht nga pafytyrësia e tij, kërkonte që gjykatësi të mbajë dy standarde, njëherë ta zbatojë dhe njëherë të mos e zbatojë.
Tani ky, i vërsulet gjykatësit, një djalë i ri ai, me fjalët e një ordineri, jo të një kryeministri, jo i pacipë, jo këto e ato.
A dëgjuat ju, dy sulme të egra, a dëgjuat ju një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë, të cilat detyrimisht duhet të merrnin në mbrojtje këto individë sepse kishin zbatuar ligjin.
Asnjë fjalë, heshtje varri.
Ndërkohë që kur unë denoncoja lidhjet me krimin të Altin Troplinit, ata lëshonin kilometra deklarata në mbrojtje të Gjokës apo Troplinit”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Fati i mercenarëve që Rama i rrëmbeu LSI-së…

Dy ditë më parë u dha lajmi se SPAK mori në pyetje, për mbi tre …