Historia e Tan Leprit është një pasqyrë e pastër e mënyrës se si pushteti i sotëm ka ngritur një sistem klientelist ku biznesi, krimi dhe politika shkrihen në një. I njohur fillimisht si biznesmeni që i dhuroi një vilë në Sauk Edi Ramës në kohën kur ky ishte kryetar bashkie, Lepri ka lëvizur ndër vite mes aleancave me Monika Kryemadhin dhe lidhjes së pandarë me Ramën. Sot, ai njihet si “bandilli” i Belinda Ballukut një figurë kyçe në skemën e saj politike dhe financiare.
Parku fotovoltaik në Ersekë shpërblimi i shërbimeve politike
Sipas denoncimeve publike, Tan Lepri ka përfituar një sipërfaqe prej 80 hektarësh pyll në Ersekë, të cilët janë prerë për t’i hapur rrugë ndërtimit të një parku fotovoltaik. Bashkia e Ersekës i dha një leje përdorimi 49-vjeçare, ndonëse ligji kufizon kompetencën e pushtetit vendor deri në 10 vite. Kjo përbën shkelje flagrante ligjore dhe një krim të pastër mjedisor.
Dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit zbulojnë se sapo leja u miratua, gruaja e Tan Leprit u bë aksionere me 30% të kompanisë që menaxhon parkun, duke provuar qartë se projekti nuk ishte një nismë e pastër energjetike, por një shpërblim politik dhe klientelist. Pra, një park i ndërtuar mbi shkelje ligjore dhe korrupsion, i kthyer më pas në burim parash për aktivitete politike.
Njeriu i Ballukut në zgjedhjet e 11 majit
Afera e parkut lidhet drejtpërdrejt me rolin e Tan Leprit në zgjedhjet e fundit. Sipas akuzave, ai ishte njeriu i besuar i Belinda Ballukut në Fier, duke financuar dhe organizuar blerjen e votave, shpërndarjen e parave dhe komunikimin me bandat lokale. Denoncimet tregojnë se Lepri vepronte në terren nën urdhrat e Ballukut, duke u bërë hallkë lidhëse mes pushtetit politik dhe botës së krimit.
Ai nuk ishte thjesht një ndërmjetës, por një “terrorist elektoral” – një figurë që përdori frikën, kërcënimin dhe paratë për të manipuluar rezultatin zgjedhor në Fier, Lushnje dhe Divjakë. Parku fotovoltaik i Ersekës, në këtë kontekst, shihet si burimi financiar i parave që u derdhën në fushatën e Ballukut.
Heshtja e SPAK dhe mbrojtja nga policia
Megjithë denoncimet publike, SPAK nuk ka hapur asnjë hetim mbi aferën e parkut apo rolin e Tan Leprit në blerjen e zgjedhjeve. Përkundrazi, ai lëviz i lirë dhe shpesh shihet i mbrojtur nga Policia e Shtetit. Kjo heshtje e institucioneve është tregues i kapjes së shtetit dhe i faktit se kush i shërben pushtetit, mbetet i paprekshëm.
Rasti i Tan Leprit është dëshmi e modelit me të cilin funksionon qeverisja aktuale:
- pasuri publike jepen në mënyrë të paligjshme;
- mjedisi shkatërrohet për interesa private;
- krijohen burime të pista financiare;
- këto para përdoren më pas për të blerë zgjedhje dhe deformuar demokracinë.
Në këtë skemë, Tan Lepri është hallka që lidh Belinda Ballukun me bandat e Fierit, korrupsionin me dhunën zgjedhore, dhe shkatërrimin e pyjeve me blerjen e votave.
Ai është prova se kufiri mes politikës dhe krimit është shkrirë. Një figurë e errët e bërë pjesë e sistemit nga Rama dhe e përdorur sot nga Balluku, për të ruajtur pushtetin mbi bazën e korrupsionit dhe terrorit elektoral.