Çfarë pritet të ndodhë pas takimit Trump-Zelensky
Presidenti amerikan, Donald Trump, takon homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë për të folur për përfundimin e luftës ruse në Ukrainë. Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.
• Në mesin e liderëve evropianë që do t’i bashkohen takimit në Uashington janë Keir Starmer i Britanisë, Friedrich Merz i Gjermanisë dhe Emmanuel Macron i Francës.
• Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i takoi liderët kryesorë evropianë, për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington. Ai tha se mbështet synimet e Trumpit për “zgjidhje diplomatike”.
• Sipas të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, Putini është pajtuar t’i lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën.
• Në prag të takimit, Zelensky tha se sulmet ruse vranë 10 njerëz në qytetet ukrainase
E hëna ka qenë një ditë e mbushur me takime, dhe nuk ka përfunduar ende.
Trump pritet të takohet me liderët evropianë që po presin në sallën e darkës shtetërore të Shtëpisë së Bardhë, duke filluar në orën 20:15 me kohën lokale në Kosovë, megjithatë ky takim do të jetë i mbyllur për media.
Liderët evropianë do të mblidhen pastaj me Trumpin për një fotografi rreth orës 20:30.
Pas kësaj, do të ketë një takim shumëpalësh midis Trumpit dhe homologëve të tij evropianë, rreth orës 21:00.
Dhe, në fund, Zelensky do të mbajë konferencë për shtyp, e cila pritet të nisë në orën 22:00.