CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Biznesi qeverisë me armët, KAYO rrezikon sigurinë kombëtare!

Nga Jorida TABAKU

Qeveria shqiptare ka ndërtuar një model të çuditshëm dhe kontradiktor të funksionimit të shtetit. Kur bëhet fjalë për shërbimet publike thelbësore – spitale, shkolla, rrugë – përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: “shteti nuk ka kapacitete”. Për këtë arsye, shëndetësia iu dorëzua koncesioneve, ndërtimi i shkollave iu la privatit, dhe çdo segment rrugor i rëndësishëm është bërë pjesë e një PPP-je.

Por kur vjen puna për të bërë biznes, shteti papritur bëhet sipërmarrës i madh. Në vend që të ofrojë shërbimet për të cilat qytetarët paguajnë taksa, qeveria vendos të ndërhyjë në tregje ku konkurrenca duhet të jetë e lirë dhe transparente. Kështu, shteti që nuk arrin të blejë avionë zjarrfikës për të përballuar emergjencat civile, futet i papërgatitur në industrinë e armëve.

Në vitin 2024, shumica qeverisëse miratoi krijimin e KAYO sh.a., një kompani shtetërore që trashëgoi disa nga uzinat e vjetra të prodhimit të armatimeve. Në teori, ideja nuk është e paarsyeshme. Shqipëria ka pasur një industri të tillë para viteve ’90 dhe si vend anëtar i NATO-s mund të kishte interes të rikthente një sektor strategjik. Një industri e mbrojtjes mund të krijojë vende pune, të gjenerojë të ardhura dhe të rrisë peshën gjeopolitike të vendit.

Por si gjithmonë me këtë qeveri, problemi nuk është ideja në letër, por mënyra e zbatimit. Që në Komisionin e Ekonomisë, u ngritën shqetësime për mungesën e transparencës, për mënyrën e përfshirjes së sektorit privat dhe për rrezikun që prona publike të përdorej për interesa klienteliste. Sot, një vit më vonë, ato shqetësime janë bërë realitet.

KAYO, me kapital fillestar vetëm 150 milionë lekë, ka krijuar tre kompani bija në ortakëri me subjekte private që nuk kanë as licenca dhe as ekspertizë në prodhimin e armëve. Nuk kemi të bëjmë me një industri serioze, por me një tjetër shembull të përdorimit të pronës publike dhe të fondeve shtetërore për interesa të ngushta.

Ky është një rrezik i dyfishtë.

Së pari, për sigurinë kombëtare. Industria e mbrojtjes është një sektor ku kërkohet kontroll i plotë shtetëror dhe ekspertizë e specializuar. Përfshirja e kompanive pa kredenciale rrezikon standardet, sigurinë dhe besueshmërinë e Shqipërisë në NATO.

Së dyti, për financat publike. Me një kapital qesharak prej 150 milionë lekësh, është e qartë se nuk mund të ringrihet një industri armatimi. Ky investim është i destinuar të shpërndahet në tendera dhe kontrata të vogla pa impakt real, ndërkohë që qeveria ka dhënë qindra milionë euro për inceneratorët dhe koncesione të tjera të dyshimta.

Në fakt, kjo nuk është një histori e re. Është e njëjta recetë që kemi parë me dhjetëra herë gjatë 12 viteve të fundit. Në vend që të fokusohet tek detyrat bazë, qeveria shpik projekte madhore, i shet si “vizion 2030” dhe në fund i kthen në platforma për klientelë. Në shëndetësi, në infrastrukturë  dhe tani në mbrojtje, rezultati është i njëjtë: shteti merr rolin e tregtarit, ndërsa qytetarët mbeten pa shërbime cilësore.

KAYO është vetëm shembulli më i fundit i këtij modeli. Një shtet që nuk financon dot spitale, por hap kompani armësh; që nuk ndërton dot shkolla, por shpik shoqëri aksionare me ortakë pa eksperiencë; që nuk garanton dot zjarrfikës për të mbrojtur pyjet, por shpall veten prodhues armatimesh.

Pyetja që lind është e thjeshtë: çfarë shteti po ndërtojmë?

Një shtet që i lë shërbimet publike në duart e privatit, ndërsa biznesin e mban për vete, nuk është një shtet modern dhe demokratik. Është një shtet klientelist, që i shërben vetes dhe klientëve të pushtetit.

Shqipëria ka nevojë për një industri moderne të mbrojtjes, por jo për kompani fasadë e partnerë të rastësishëm. Siguria kombëtare nuk është biznes privat i qeverisë – është interes kombëtar që nuk mund të përdoret si monedhë për tendera dhe marrëveshje të errëta.

About Redaksia

Check Also

Ish-Ambasadori tregon qëndrimin tjetër skandaloz të Ramës kundër Trump për Ukrainën

Agim NESHO Dështimi i radhës së vizionit të Ramës dhe përshtatjet e kamaleonit Rama e …