Nuk është zjarrvënia halli, Shqipëria digjet nga keqqeverisja!

Nga Ndriçim KULLA

“Ata që ndezin zjarre duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji” – u shfaq kryeministri përballë një kronike televizive të Syri.tv, ndërsa Delvina, qyteti im, po digjej.

Tek ky prononcim të vetëm, me gjithçka të gënjeshtërt brenda, ai që mban përgjegjësinë kryesore për zjarret që kanë pushtuar Shqipërinë, sheh fillimin dhe fundin e zgjidhjes.

Zjarret, fatkeqësitë natyrore, dramat spitalore, braktisja e vendit, zbrazja e fshatrave dhe 1001 probleme të tjera janë episode pa asnjë vlerë për të, nuk i krijojnë asnjë ndjeshmëri sociale si kryeministër, pa le më si njeri “sociologjik”.

Tani që grabiti votat dhe në mendjen e tij është siguruar edhe për një mandat 4-vjeçar, e gjen veten të futur në shpellën e mafies, duke vazhduar bisedimet e mëtejshme mbi obsesionin e kullave.

Në thelb, ai ka një jetë paralele me projekte futuriste, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me hallet dhe fatkeqësitë e shqiptarëve.

Nuk gjen justifikim më bajat se ky, i cili duket hapur që është plotësisht në rangun e gënjeshtrës.

Sepse nuk është zjarrvënia halli i hallit të krizës së madhe të zjarreve, por keqqeverisja.
Kjo që thotë kryeministri është marifeti i tij i radhës, ku përpiqet që t’ua kalojë si gjithmonë problemet e keqqeverisjes së tij të tjerëve.

Natyrisht, që zjarret janë problem, edhe nga ata njerëz që i ndezin. Por kjo është ku e ku me përgjegjësinë kryesore për menaxhimin e tyre.

Sepse fillimisht, ai duhet të mendonte e të organizonte parandalimin e tyre.

Ndryshimet klimatike janë një problem serioz, por në diskutimet shkencore nuk ka konsensus se toka po ngrohet vetëm nga dora e njeriut.

Toka është ngrohur, është ftohur dhe përsëri është ngrohur, duke përvijuar cikle klimatike me periudha ndoshta 100-vjeçare.

Njerëzit në historinë e njerëzimit janë mësuar edhe me kushte më armiqësore, me vapën dhe temperaturat e këtij viti ose këtij 50-vjeçari, dhe kanë bashkëjetuar si fitimtarë me forcat e verbra të natyrës.

Temperatura të larta ka pasur edhe më parë dhe relativiteti i shifrave shkencore nuk të çliron nga përgjegjësia personale dhe shtetërore që ka kryeministri me avionin personal “Ismaili”, që bredh me udhëtime javë të tëra nëpër Europë ose nëpër botë.

Klima, me ndryshime të vogla, ka qenë kjo që është, me temperatura të larta verore të cilat nuk ia bënë papritur për t’u hakmarrë ndaj pushtetit të tij.

Madje kujtoj në adoleshencën time, se në vitin 1972 në Çiflik të Konispolit u regjistrua temperatura 42 gradë në hije. Regjimi i diktaturës ishte ai që dimë, por ndryshe nga regjimi i Ramës diktator sot, të paktën zjarret i kishte bërë zap.

Kishte një organizim, i cili edhe pse mbështetej në disiplinën e keqe të atij regjimi, nuk i la kurrë këto fatkeqësi natyrore në rënie të lirë.

Ta shikosh burimin e kësaj fatkeqësie historike që po ndodh sot në Shqipëri vetëm tek dy njerëz pa ndërgjegje, që venë diku zjarre, është të fshihesh pas gishtit.

As tek vapa nuk mund ta gjesh, as tek terreni. Por burimi i zjarrit mund të ketë arsye të shumta – nga shkaqet natyrore deri te pakujdesia.

Dhe për të gjitha këto shkaqe, duke përfshirë edhe parandalimin, në krye të përgjegjësisë qëndron qeveria.

Shteti e ka për detyrë që t’i përballojë sulmet agresive të natyrës. Kjo nuk ka nevojë të përsëritet dhe aq më shumë të kapërcehet situata me gënjeshtra.

Po pse duhen bërë ca llogari për blerjen e avionëve – siç thotë kreu i qeverisë?!

E dimë: e ka fjalën për lekët, i ziu, që i pëlqejnë aq shumë. Por për lekët e xhepit të vet, jo për lekët e të tjerëve.

Po ku ka pyetur ai për llogaritë – se ku shkon, çfarë bën, me çfarë udhëton. Nga i merr lekët për udhëtimet e tij të pafundme, etj?

Ndërsa për të blerë dy-tre avionë për shuarje zjarresh që kushtojnë disa herë më pak se një helikopter, dridhet e përdridhet. Lekët, doemos, i duhen për paktet e fëlliqura me oligarkët.
Sepse është pasuria e popullit që digjet, dhe pasuria e popullit – gjithashtu edhe jeta e popullit – është një shqelm në arrogancën e këmbëve të pushtetit të tij të grabitur.

Kryetari i regjimit e ekzagjeron çdo gjë qëllimisht për fuqinë shkatërruese të nxehtësisë dhe pranon fatalitetin.

Të njëjtin qëndrim justifikues ka mbajtur edhe ndaj shpërthimeve të tjera të verbra të natyrës, po të kemi parasysh këtu fatkeqësinë e tërmetit, përmbytjet e herëpashershme në çdo skaj të Shqipërisë, fatkeqësinë e pandemisë Covid-19 apo çdo surprizë tjetër sfiduese të natyrës.

Keqardhje e pakufishme për çfarë kemi parë dhe për atë që po ndodh me zjarret në Delvinë dhe me gjithçka tjetër që lidhet me flakët në Shqipërinë e sotme.

Nuk e kishim shkuar kurrën e kurrës ndër mend se do bëheshim dëshmitarë që të na pushtonin flakët nga çdo anë.

Mund të digjet një shtëpi, një kala, një kompleks historik nga pakujdesia, por edhe nga papërgatitja përballë agresivitetit të natyrës. Por jo të rrethohet një qytet i tërë si Delvina nga flakët.

Ku i ka patronazhistët dhe ushtrinë prej 224 mijë personash të administratës?!

Supozoj që, në stilin e tij mafioz, iu ka shkelur syrin vartësve për t’iu dhënë leje shpërblyese pas betejës kriminale që bënë së bashku për rrëmbimin e mandatit të katërt.

Manipulatori që sot po drejton, sigurisht, do ta gjejë shkakun si gjithmonë te temperaturat… Por në sytë e së vërtetës është ai, me regjimin e tij, që po e djeg Shqipërinë dhe po tmerron njerëzit për t’u larguar një nga një nga ky vend.

Edhe ata që po vuajnë sot, në fakt, janë disi fajtorë për veten e tyre, por edhe për të gjithë ne të tjerët. Ai votat i vodhi, por edhe e votuan. Disa njerëz, sipas meje, janë skllavëruar në batakun e ideologjisë.

Përgjegjësia e qeverisjes për të nuk imagjinohet të dalë përtej kornizës së shkarravinave të tij të përziera, të cilat me gjenialitetin e së keqes që ka brenda qenies së tij, çfarëdo që të ndodhë, me papërgjegjshmëri dhe pandjeshmëri çnjerëzore, e zbukuron, e transformon, duke e shpënë në Bruksel apo diku tjetër, me kanavacën e tij shqiptare që nuk ka lënë vend pa e varur e pa e tundur.

Kjo është filozofia dhe shpirti i regjimit, por edhe drama jonë historike.

About Redaksia

Check Also

Shkodranë, çohuni i dilni zot identitetit të Shkodrës!

Nga Eliona Kodra SHKRELI Kjo ‘vepra e artit’ që s’di t’a lexoj çfarë kuptimi ka, …