Nga Erion DASHO
Pandemia nuk prodhoi vetëm vdekje, probleme shëndetësore, sociale, ekonomike, etj. Prodhoi edhe sektin e covidiotëve, ose sektin e gjakut dhe të gjeneve “të pastër”.
Sektin që e shikon botën bardh e zi: nga njëra anë, të pavaksinuarit, me gjakun e tyre “të pastër” dhe “hyjnor”. Nga ana tjetër, të vaksinuarit, “të shpuarit”, “të ndoturit”, të cilët janë shndërruar tashmë në qenie që duken të dala nga filmat e Harry Potter.
Të pavaksinuarit janë “gjakpastërtit”, kurse të vaksinuarit “gjakpërzierët”. Këta të fundit janë, për më tepër, të nënshtruarit, frikacakët, skllevërit dhe tradhtarët e gjeneve pellazge!
Për “të pastërtit”, vaksina nuk ishte një mjet për të shpëtuar jetë dhe për ta ndihmuar shoqërinë t’i rikthehej normalitetit; ishte një akt tiranik dhe djallëzor, një mjet vdekjeje!
Kështu epidemia polli aristokracinë e re të çuditshme, polli vajtojcat e shekullit të 21-të të cilët tek vdekja e çdo të vaksinuari, qoftë edhe vite pas pandemisë, shohin një fitore dhe një provë të “së vërtetës” së tyre dhe të parashikimeve të tyre ogurzeza.
E fundit ishte vdekja e Artur Zhejit…
***
O trushplarë dhe trutharë!
Njerëzit kanë vdekur dhe do të vdesin në çdo moshë dhe për arsye nga më të ndryshmet!
Infarktet, hemorragjitë cerebrale, kanceri, etj., ekzistonin përpara Covidit dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë përsa kohë do të ekzistojë edhe raca njerëzore!
Konspiracionistë covidiotë!
Boll u morrët me vdekjet! Lërini të vdekurit në paqen e tyre të përjetshme! Lërini familjarët, të afërmit dhe miqtë të qetë në dhimbjen e tyre!
Mbi të gjitha, mos luani me ndjenjat e njerëzve që sapo kanë humbur njerëzit e tyre të dashur!
Boll me marrëzitë tuaja!
Edhe idiotësia më e madhe duhet ta ketë një ditë një fund…