Jo pêr të qeshur, por për të qarë!

Nga Alba KEPI

We bring some fun!

Në Bled Strategic Forum, ku liderët e Europës Qendrore e Ballkanit Perëndimor mblidhen për të debatuar mbi të ardhmen e rajonit, Edi Rama nuk solli as ide, as vizion.
Ai solli “show-n” e tij.

Moderatori slloven e prezantoi si “njeriun që do të sillte entertainment” – dhe kryeministri shqiptar nuk zhgënjeu: me batuta, me ironi, me sjellje jashtë çdo protokolli, por me shumë pak politikë.

Zonja e Zotërinj ja Stili i stand-up i një komediani!

Ngjitja e tij në skenë i ngjante më shumë hyrjes së një sportisti amator në fushën e padelit sesa një lideri shtetëror në një forum prestigjioz.

Atlete të bardha, bluzë të zezë, pa këmishë. Dhe ndërsa presidentja e Sllovenisë mbante fjalën, Edi rrinte me kokën ulur mbi telefon, duke shkruar pa e ngritur sytë dhe pa dhënë duartrokitjen më minimale të mirësjelljes diplomatike.

Më pas erdhi radha e panelit ku Rama do të fliste. Ulja në skenë ishte e parashoqëruar nga graviteti i një kryeministri.

Teksa hipte në podium, iu drejtua prezantuesit slloven me një kërkesë që vetëm sa e theksoi natyrën e tij showman: “A do rrish me mua?”. Përgjigjja : “Jo, këtë herë do të të drejtojë dikush tjetër”.
Dhe ajo “dikush tjetër” ishte Nathalie Tocci, analiste e njohur politike italiane, e cila njihet për mendimin kritik dhe analizën pa kompromis.

“Preokupimin” e tij përballë Tocci-t e fshehu me arrogancë. Teksa ajo mbante fjalën e saj, duke bërë një këndvështrim të thelluar mbi sfidat europiane, ai u shfaq sërish i shpërqendruar, kokë varur sy përmbys la të kuptohej se nuk i interesonte. Një formë “e rafinuar” injorimi, që synon të rrëzojë vlerën e bashkëbiseduesit, por që në të vërtetë i riktheu atij imazhin e një lideri që nuk di.

Kur mori fjalën, Edi sic e quanin të pranishmit, nuk e nisi me një vizion për Shqipërinë apo rajonin. Filloi me batuta për karriget me masazh dhe shpotitë ndaj moderatores italiane që “flet shumë”.

Foli, por për Shqipërinë e djeshme, jo për të sotmen.

Krahasoi vendin tonë me Afganistanin e Irakun, duke përsëritur disa herë se merita e tij është “ndërtimi i institucioneve”. Kujtoi të shkuarën e mënyrë për të shmangur të tashmen, për të anashkaluar korrupsionin, mungesën e shtetit ligjor, krizën e integrimit europian. Mungoi vetëm të shprehte refrenin e vjetër: “fajin e ka Saliu”.

Komisionerja Europiane Marta Kos i përshkroi shqiptarët me superlativa, duke theksuar se 92% e tyre mbështesin Bashkimin Europian. Rama, siç i ka hije një “lideri global”, nuk ngurroi të përgjigjej me ironi. Ai tha se 92% e shqiptarëve dikur kanë mbështetur osmanët, 92% kanë mbështetur Bashkimin Sovjetik, 92% kanë mbështetur Mao Ce Dunin dhe Kinën, dhe sot 92% e shqiptarëve mbështesin BE-në. Sipas tij, problemi nuk është mbështetja, por fakti që edhe kur këto sisteme falimentonin, shqiptarët i mbështesnin përsëri.

Eh sa i thellë është!

Dikur mikesha e tij na kujtonte barin sot ai na kujton Maon.

Dhe kështu, në fund të fjalës së tij, mes ironisë dhe historisë së shtrembëruar, Rama na kujtoi se për të, politika nuk është një çështje vizioni, por një “show” ku e shkuara përdoret për të justifikuar të tashmen

Eh sa i takon gjepolitikês botërore cfarë të thuash?

Edi nisi të flasë për Putinin, e sikur Nikita Hrushovi të ngrihej nga varri, nuk do të kuptonte se çfarë donte të thoshte.

Nisi te flas dhe për Orban por e mblodhi veten shpejt se kuptoi se cfarë po rrezikonte.

Ah për Lindjen e Mesme…. vështirë ta kuptosh a ka më shumë miq para o pas luftës!

E mbylli duke thënë “We bring some fun!”

E fun qoftë!

Jo pêr të qeshur por për të qarë!

About Redaksia

Check Also

Ku je o Bajram Begaj se nuk po të shohim më as si qytetar, pa lere më si president?!

Nga Ndriçim KULLA Turpi të mbuloftë o Bajram Begaj, në se  këto që po thuhen për …