Deputetët e mazhorancës në kuvendin e Shqipërisë kanë propozuar për shkrirjen e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian dhe për ta përfshirë atë brenda Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.
News24, përmes gazetarit Osman Stafa, pyeti delegacionin e BE-së në Tiranë, nëse mazhoranca në Kuvend është konsultuar me Delegacionin e BE-së lidhur me këtë propozim.
Përmes disa pyetjeve drejtuar delegacionit të BE-së nga News24, Osman Stafa kërkoi informacion nëse Delegacioni i BE-së është dakord me shkrirjen e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian, dhe a vlerësohet ky akt i njëanshëm i mazhorancës si një ngushtim i hapësirës së opozitës në procesin e integrimit, duke patur në konsideratë që për më shumë se 20 vjet ky komision është drejtuar vetëm nga përfaqësues të opozitës?
Në reagimin e tij, delegacioni i BE-së thotë se parlamenti shqiptar është një institucion kyç për cuarjen përpara të agjendës së reformave që lidhen me BE-në.
“Në këtë drejtim presim me padurim hapat konstituivë të parlamentit të ri si dhe presim që integrimi në BE të mbetet një përparësi ndërpartiake për ligjvënësit në legjislaturën e re parlamentare.
Për të qenë i suksesshëm, anëtarësimi ka nevojë për consensus ndërpartiak”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së në Tiranë, për News24.