Uji i pijshëm, dështimi i radhës i qeverisë Rama!

Atrid HOXHA
Këshilltar i PD në Këshillin Bashkiak Vlorë

Sot, gjatë konferencës ‘Reforma e Sektorit Ujësjellës-Kanalizime’, Rama deklaroi se janë bërë shumë investime dhe është rritur përgjegjësia në menaxhim.

Por qytetarët sërish nuk kanë ujë.

Qeveria ka marrë në dorë administrimin e të gjithë ujësjellësve të vendit prej më shumë se 2 vite, duke i grupuar në 15 njësi. Fillimisht mori 51% të aksioneve, nga Bashkitë, ndërsa sot paralajmëron se do të marrë 100%, me arsyetimin se nuk është e nevojshme të mbajë ‘nëpër këmbë’ njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Por qytetarët sërish nuk kanë ujë.

Nevojat për furnizim me ujë janë të mëdha, sidomos gjatë sezonit turistik, por Rama dhe Balluku e justifikojnë mungesën e zgjidhjes me atë që e quajnë ‘papërgjegjshmëri ekstreme’ të pushtetit vendor.

A thua se në Vlorë prej 28 vitesh, Bashkia nuk drejtohet nga e njëjta parti, ajo e baballarëve të Ramës dhe Ballukut.

Por qytetarët sërish nuk kanë ujë.

Prej vitesh, qyteti pret përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të premtuar nga projekti i tenderuar nga Balluku. Ky projekt është kthyer në dështimin më të madh, duke lënë rrugë dhe lagje të shkatërruara, që sot i ngjajnë një qyteti të dalë nga lufta.

Dhe sërish qytetarët nuk kanë ujë.

Vlonjatët këtë vit kanë mbetur më të tharë se kurrë në rubinetat e tyre. Por për të mbuluar këtë dështim dhe për të legjitimuar grabitjen e radhës, Rama e paraqiti Vlorën si histori suksesi në menaxhimin e ujit nga ‘Floëer’ i ardhur nga Tirana (drejtori i ujësjellësit).

E vërteta është krejt e kundërta.

Qytetarët sërish nuk kanë ujë.

Pak kohë më parë, ortakja e kryeministrit, znj. Balluku, premtoi se do t’i çonte personalisht në SPAK të gjithë abuzuesit në ndërmarrjen e ujësjellsit. Por, si çdo premtim tjetër i saj dhe i qeverisë, edhe ky mbeti vetëm në kuadrin e propagandës.

Por sërish qytetarët nuk kanë ujë.

Në fjalën e saj sot, znj. Balluku u përqendrua te burimi i ujit në fshatin Tragjas, duke më kujtuar shprehjen: ‘Gjuha vete ku dhemb dhembi.’ U përpoq të na bindte se aty ka ujë të mjaftueshëm për të gjithë dhe se banorët duhet ta ndajnë me klientët e qeverisë në Palasë dhe Dhërmi. Kjo tregon qartë se prioritet nuk janë qytetarët, por interesat private dhe klienteliste.

Por qytetarët sërish nuk kanë ujë.

Nga një orë konferencë e ortakëve Rama & Balluku, u kuptua qartë se gjithçka bëjnë është vetëm në funksion të grabitjes dhe shfrytëzimit të qytetarëve shqiptarë.

Mos prisni gjë, ujë nuk ka për të pasur!

About Redaksia

Check Also

Flet drejtoresha e OLAF: Fondet e IPARD mbeten të ngrira, qeveria të marrë masa konkrete…

Flet Salla Saastamoinen, drejtoreshë në detyrë e OLAF (Zyra Evropiane kundër Mashtrimit): OLAF gjeti shkelje …