CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 85

Maska e globalistit që i ka shitur shpirtin Sorosit duhet të hidhet në plehrat e historisë

Nga Ndriçim KULLA

Jo rrallë, nëpër forumet apo takimet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, shihet të mbajë fjalimet e veta të një burrë i gjatë, i madh, përfaqësues i një vendi shumë të vogël dhe që ende nuk ka hyrë në Evropë, por që ftohet pikërisht për të dëgjuar vizionin që ky njeri ka për çështjet më delikate, më të debatuara e më të vështira për t’u zgjidhur që ka sot Evropa.

çfarë formimi ka vallë, çfarë përvoje diplomatike e kulturore, që të flasë për gjëra që askush nuk mund të flasë prerë dhe askush s’po i jep dot zgjidhje, do te pyeste dikush. Asnjërën nga këto nuk ka kryeministri ynë, pasi nuk i nevojitet, ai flet vetëm për atë qasje qe i jep padroni i tij politik dhe ideologjik, dhe shpalos vetëm atë anë të medaljes për çdo çështje, që u intereson elitave globaliste. Ndaj janë shumë qesharake dhe absurde vizionet e tij për të ardhmen evropiane, që nuk përkojnë fare me njeriun që është e dijen që ka, e as me vendin që përfaqëson dhe rolin që ai luan në arenën ndërkombëtare.

E provoi edhe një herë këtë turp intelektualo- diplomatik të radhës, disa ditë më parë, në fjalën e tij për paqen dhe të ardhmen evropiane, në këto kohë të vështira lufte dhe përplasje të ethshme mendimesh për zgjidhjen e saj. Edhe vetë presidenti amerikan, tek i cili Evropa i ka varur të gjitha shpresat, është shprehur se paqja e luftës Rusi-Ukrainë është shumë më e vështirë se sa mund ta imagjinojë ndokush. Madje përpara takimit me Putin në Alaskë, rrëfeu se po bëhen përpjekje kolosale, të nëndheshme, nga disa pushtete, që ky takim të mos ketë sukses.

Kompleksiteti i çështjes dukshëm që ngërthen shumë faktorë , po kështu alternativa të qasjeve të ndryshme nga ajo evropiane, po marrin mjaft vëmendje e pushtet në SHBA e nëpër botë, duke e bërë zgjidhjen një shesh të vërtetë mendimesh. Por jo, mendimtari i madh ”lideri global” Edi  Rama është shumë i qartë dhe shumë i thjeshtë në  vizionin e tij, sepse i përbuz alternativat, njeh vetëm idenë e elitave globaliste që sponsorizon soroizmi. Nuk i intereson se Evropa e bashkuar u krijua pikërisht për ti shpëtuar luftërave dhe për të promovuar paqen, ndërkohë që sot gjendemi para faktit të pranuar se ajo po udhëheq njërën nga luftërat më të panevojshme të historisë. Mjaft mendimtarë dhe historianë po mundohen ti bindin elitat e saj globaliste dhe burokrate se kjo është një luftë e pamundur për gjendjen në të cilën ndodhet, për ushtarë dhe armatime.

Më e ndershme intelektualisht do të ishte që ai ti përqaste të gjitha qëndrimet dhe rrymat për këtë çështje, ashtu siç bën Meloni, mikja e tij në Italinë fqinjë, pa dashur të vendosë gishtin tek uniteti dhe fuqia evropiane përballë administratës amerikane. Është një mjerim idesh dhe vizionesh e gjithë fjala e tij, por kjo “liderit” tonë nuk i bën përshtypje. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se atij i duhet të çojë përpara agjendën e vet globaliste. E ka bërë edhe herë të tjera, madje në kurriz edhe të interesave të Shqipërisë.

Nuk kemi asnjë arsye ne shqiptarët të mbajmë flamurin globalist të luftës së Zelenskit, aq më tepër dhe me një zell të pashpjegueshëm, në një kohë kur Ukraina, në vetvete, është një shtet që se ka njohur Kosovën. Më mirë ta përdorë rrjetin e vet sorosian të lobojë që të ndodhë një gjë e tillë, se sa të dalë i pari e të dërdëllisë vizionin e elitave. Po njëlloj, ka mbajtur ai, në mënyrë akoma dhe më hipokrite, në fjalimet e veta, flamurin e luftës kundra ngrohjes globale, në një kohë që është përfaqësues i një vendi me industri inekzistente, por të rrënuar nga ndotja dhe plehrat helmuese prej inceneratorëve që nuk punojnë.

Turp i paparë hipokrizie në kurriz të mjerimit të shqiptarëve që jetojnë kështu. Ska gjë edhe kësaj here. Pavarësisht se në Amerikë, falë studimeve të mirëfillta shkencore, është arritur në përfundimin se efektet negative që shkakton ngrohja globale për njerëzimin, janë shumë herë më të pakta se dëmi që mund ti shkaktohet njerëzimit dhe lulëzimit të tij nga përdorimi i lëndëve djegëse dhe industrive të ndryshme.

Dhe ky nuk është një parim i thjeshtë, është guri i themelit te një qasje radikalisht të kundërt për zhvillimin ekonomik të së ardhmes së njerëzimit, që mjaft qeveri konservatore në botë kanë aplikuar për vendin e tyre. Kjo politikë është dallimi kryesor i administratës Trump me të majtën radikale në vite, që e ka përdorur këtë temë qëllimisht për të deindustrializuar ekonominë amerikane dhe evropiane, me pasojat katastrofike ku ajo gjendet sot, nën nevojën e gazit rus. Nuk i intereson “liderit global” e vërteta, ai përsëri është i qartë dhe i thjeshtë, si çdo i paditur, në rrugën e flamur-mbajtësit sorosian të ideve të tij globaliste.

Mirëpo edhe këtu, globaliteti i tij mjeran, nuk është vetëm estetik apo megaloman, përkundrazi, ai është kundër interesave tona jetike si vend. Dihet se Shqipëria ka shumë leverdi të zhvillojë këtë qasje që e çliron zhvillimin energjetik, pasi ajo ka rezerva të madha nafte dhe gazi. Po njëlloj, Kosova ka rezerva të jashtëzakonshme qymyri, që teknologjitë e sotme mund ti shndërrojnë në burime të mjaftueshme gazi, për të furnizuar të gjithë Evropën. Kjo do të qe “eldoradoja” jonë si shtet e si komb, që mbytet nga iniciativat e “green energy” të elitave globaliste evropiane, që konsiderojnë si alternativa parqet fotovoltaike ose ato të erës.

Që të vendosësh Shqipërinë të parën është patriotizmi më i madh, një parim ky sidomos vital në ekonomi. Wokizmi dhe përdorimi i ngrohjes globale, si trysni, limit e kapak i shfrytëzimit inovativ të lëndëve djegëse, dukshëm që Ramës i pëlqen, sepse është urdhri global i padronit. Mirëpo, sovranistët dhe konservatorët, veçanërisht në Amerikë dhe në Italinë fqinje, janë në pararojë të çmontimit të kësaj direktive ekonomike dhe çlirimit të burimeve të vërteta energjetike, çka e bën akoma dhe më të frikshëm dëmin që po i sjellë Shqipërisë flamuri i fjalimeve globaliste, vetëm për te kënaqur agjendën dhe egon e një ushtari të bindur, pa intelektualitet dhe injorant për çështjet për të cilat flet.

Gjithçka që ai bën e duket, tashmë është kuptuar qartë që është një shfaqje e neveritshme, që ka si emërues të përbashkët, për çdo temë, jo gjykimin e shëndoshë dhe interesat e vendit, po avancimin e ideve wokiste dhe të elitave radikale të majta. Le t’i vëmë një gur të madh të gjithë këtij globaliteti të njëanshëm që po shpërndan kudo llafazanëria e tij. Maska e globalistit që i ka shitur shpirtin  Sorosit, duhet të shkatërrohet dhe të hidhet në plehrat e historisë, sa më shpejt, sa më parë, për të mos e lënë ti bëjë më mjerim dhe turp Shqipërisë, se sa i ka bërë deri tani.

About Redaksia

Check Also

Zhupa publikon shifrat dramatike: Rama po e shkatërron qëllimisht arsimin!

Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa ka reaguar mbi situatën dramatike të arsimit në …