Lideri historik i PD, Sali Berisha ka dënuar sërish votën kundër të Edi Ramës dhe deputetëve të PS, që rrëzoi rezolutën e gjenocidit serb në Srebrenicë të Bosnje Hercegovinës.
Nga Fieri ku zhvilloi Foltoren me demokratët, Berisha e quajti Ramën vasal dhe u shpreh se kryeministri shkelmoi interesin kombëtar, ndërsa i kujtoi edhe krimet serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
“Në mënyrën më të paimagjinueshme, deputetët e PS votojnë kundër dënimit të gjenocidit në Bosnje. Ai turp na ka rënë edhe ne, të jeni të sigurt. E kuptoni se çfarë do të thotë kjo? Çfarë kombi qenkan këta shqiptarët? Si ka mundësi të ndodhë kjo? Ata e votuan, por problemi është se turpi iu mbetet të gjithë shqiptarëve dhe i madh. Ministrja e Jashtme çonte kartonin. Pse e pranon ti gjenocidin serb që e voton kundër? Ky është akt primitiv, ky është akt vasaliteti i plotë, shklelmon totalisht në radhë të parë interesin tënd kombëtar, në radhë të dytë shkelmon mbi kombin tënd si komb i qytetëruar, por kombet e qytetëruara nuk pranojnë kurrë gjenocide. Por ti shkelmon edhe mbi ato viktima të Bosnjes dhe që janë më shumë në Kosovë shqiptarë po t’i marrësh nga 1874 e gjer në 1999”, u shpreh Berisha.