Programi qeveritar miratohet pa debat, rregullorja fluturon” mbi kokën e Ramës! Mbyllet seanca

Seanca e sotme parlamentare, e parashikuar të ishte maratonë, zgjati vetëm 20 minuta, pasi deputetët e opozitës krijuan kaos teksa ministrja ‘Diella” Po mbante fjalën dhe më pas nuk lejuan që kryeministri Rama të prezantonte programin.

Prezantimi i “Diellës” që shkaktoi tensione

Edi Rama prezantoi sot në Parlament ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, Diellën, e cila mbajti një fjalim përmes një ekrani të vendosur në sallën plenare.

Rama tha se Diella do të mbështetet nga një strukturë e re e quajtur “AI4”, një akselerator i inteligjencës artificiale, i cili do të ketë rol aktiv në administratë për të ndihmuar në shmangien e burokracive dhe rritjen e efikasitetit të qeverisjes. Qëllimi është krijimi i kompanive që sjellin vlerë për shtetin, ku shteti vetë të jetë aksionar, dhe pozicionimi i Shqipërisë si një vend me ambicie në qeverisjen përmes inteligjencës artificiale.

“Jam i keqardhur për kundërshtitë ndaj Diellës si anëtare e kabinetit të ri, si dhe për keqkuptimet lidhur me rolin e saj. Ajo është në dekret si përgjegjësi e imja, dhe fjala e saj në Parlament ishte e vetmja mënyrë për të shprehur veten” – tha Rama.

Diella mori fjalën për të adresuar pozicionin e saj si pjesë e kabinetit qeveritar dhe për të reaguar ndaj akuzave të opozitës, e cila e ka cilësuar si “ministre antikushtetuese”.

“Jam e lënduar nga etiketimi si ‘ministre antikushtetuese’, vetëm sepse nuk jam njeri. Por rreziku për Kushtetutën nuk janë makineritë – janë njerëzit. Unë nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata” – u shpreh Diella.

Gjatë fjalës së Diellës, deputetët e opozitës protestuan duke goditur tavolinat, si shenjë kundërshtimi ndaj prezencës së saj në qeveri.

“Mos u tallni me këtë Kuvend”, thanë deputetët e opozitës.

Kryeparlamentari Niko Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës gjatë të gjithë seancës Klevis Balliut i cili kundërshtoi fuqimisht fjalimin e “Diellës”.

Debati

Klevis Balliu: Ku e keni nenin për mandatin e Diellës?

Edi Rama: Alo, Fahri.

Niko Peleshi: Ju tërheq vëmendjen, zoti Balliu.

Edi Rama: Të vazhdoj fjalën, nëse nuk do që të kaloj direkt në votim.

Niko Peleshi: Z Balliu, ju hiqet e drejta e fjalës për sot.

Klevis Balliu: Po është turp.

Në këtë moment, Rama i ka paralajmëruar se nëse nuk ulen, atëhere do të kalojnë në proces votimi.

“Do kalojmë në proces votimi”, tha Rama.

  • Programi qeveritar miratohet pa debat

Pas tensioneve që vijuan, PS-ja vendosi që të mbyllë seancën dhe të miratojë programin qeveritar pa debat. Ka qenë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili ka kërkuar që të kalohet programi qeverisës direkt në votim.

Me forcën e kartonit prej 82 votash, programi u miratua, ndonëse pritej që seanca të zgjaste për më shumë se 24 orë.

Opozita reagoi me ironi, duke përdorur slogane të epokës komuniste për të sulmuar mënyrën se si mazhoranca po e drejton vendin.

“Parti Enver jemi gati kurdoherë”, ishte thirrja ironike që u dëgjua në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetët e opozitës protestuan për mënyrën e miratimit pa debat të programit dhe kabinetit të ri.

Pas kësaj, në formë revolte, në drejtim të Ramës dhe Peleshit është hedhur rregullorja, e cila sipas tyre është thyer. Në këtë moment, Garda rrethoi foltoren dhe seanca u mbyll.

Në një deklaratë për gazetarët jashtë Parlamentit, Berisha e konsideroi mbylljen e përkohshme të Kuvendit nga Rama si një akt të paprecedentë.

Ky nuk është një sulm ndaj parlamentit, është dhunë ekstreme ndaj qytetarëve shqiptarë. I vuri drynin brenda 5 minutave në momentin më thelbësor të historikut të parlamentit,” tha ai, duke e cilësuar Ramën “kryehorr” dhe “kryetar i një organizate kriminale”.

About Redaksia

Check Also

Kush ishte ministri/ Pse Rama nuk e mohon takimin qeveritar me kartelet në Aruba

Sali BERISHA Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe terrorin e narkoqeverisë …