Nga Petrit VASILI
Ka një pandemi të vërtetë logoreje nëpër banakët e televizioneve të inceneratorëve.
Lloj e soj analistësh, shumica të vetëquajtur e ca të tjerë se e bëjnë prej kohësh këtë punë, po stigmatizojnë, analizojnë, bullizojnë dhe studiojnë deri në detaj opozitën.
Debiliteti mediatik i komanduar nga Rama është kthyer në një shpërthim masiv ujërash të zeza mediatike, që godet opozitën për të fshehur nga sytë e opinionit gjëmat dhe bëmat e Ramës.
Debilitetit të ramistëve mediatikë nuk ju intereson fare situata katastrofike e vendit, apo korrupsioni i tmerrshëm i qeverisë. Dhe kanë të drejtë që nuk e shohin dot, se me këtë korrupsion i ushqen dhe i sponsorizon edhe ata vetë.
Këta gjela mediatikë të vërtetë, të ngrehur sa s’bëhet, që e kërkojnë edhe qimen tek opozita, traun e bëmave shkatërrimtare tek Rama nuk e shohin dot dhe përballë Ramës bëhen si pula të shushatura, qeshin me ëmbëlsi dhe pranojnë çdo lloj poshtërimi.
Mjerim i madh vërtet!
Këta njerëz të shpëlarë nga çdo vlerë morale dhe profesionale janë shndërruar në një Covid social, që vetëm dëmton shëndetin e shoqërisë në emër të lugës së supës, që hanë në tasin e korrupsionit të qeverisë.
Këta personazhe bëjnë sikur ju shqyhet zemra për opozitën, sikur e duan shumë opozitën, sikur i duan më të mirën opozitës, kur në fakt bëjnë ç’munden që opozita të mos ekzistojë fare.
Po këta që sot dërdëllisin në çdo banak se pse opozita reagoi fort ndaj Ramës që provokonte me Diellën në Kuvend, do ishin po këta që nëse opozita rrinte në sallë do thoshin: opozita u poshtërua nga Rama se dëgjoi Diellën.
Pra një lojë super bajate, provinciale dhe e qëllimshme ma ftohë ma ngrohë gomarin.
A ka opozita gjëra për të ndryshuar?
Sigurisht ka, edhe shumë bile.
Por Shqipëria është në buzë të greminës së plaçkitet nga narkoqeveria e Ramës dhe këtë nuk e luan topi.
Ndaj mos humbni asnjë sekondë me këta kamikazë mediatikë, por shihni se si ju grabit të drejtat, taksat dhe pronën qeveria dhe Rama.
Një gjë është e qartë që këta rrinë dhe do të rrinë përjetësisht si pula të lagura përpara Ramës dhe do të vazhdojnë të ngrehen si gjeli në pleh kundër opozitës.