Nga Luçiano BOÇI
Pasi morën kartonat si tek loja “pa fol, pa qesh, pa lëviz nga vendi”, vargani i qeverisë mori rrugën drejt vendit “të beg(k)uar” të Presidencës.
Do betoheshin tek “cerberi” i Kushtetutës, i cili në vend ta ruajë e ha për vakt atë.
Mes varganit kishte dhe frymorë dhe jo frymorë, ku respektin e vëmendjen më të madhe e merrte jo frymorja, Diella e AI-së.
Atmosfera otomane ishte ndërthur ndjeshëm me look-un pasunor të haxhiqamilistit kryeministër.
Një performancë dumbabiste ekselente ku spikaste AI dora vetë kryeministri Dumbaba 4.
Krenaria ishte e papërmbajtshme dhe legjitime:
“Don Kishoti” me flokë të derdhura, personazhi i famshëm i Romantizmit shqiptar sipas Diellës frymore, do të drejtojë politikën e jashtme otomane shqiptare.
Arsimin, jo më me pika të vocka, por me njolla shumë të mëdha, me siguri, pritet ta marrë me koncesion, sic bëri dikur drejtuesja e kulturës me Butrintit, një firmë shumë e shquar e prodhimit të sallamit.
Mbrojtjen tashmë e kemi të cimentuar e të sigurtë me flotën më të madhe në ballkan, me anijet e gomonet e drogës që cajnë mes për mes portin e Durrësit, të ardhur nga amerika latine e largët.
Shëndetësinë me ndryshimet e fundit nga kancerogjene tanimë do ta bëjmë pacient fundor ndërkombëtar.
Transportin meqënesë ecën me autopilot e kanë lënë sic ka qenë.
Për financa e ekonomi nuk kuptohet pse kanë vënë ministër, sepse vendimet për këto fusha lëvizin në lavatrice që kanë pronarë faktikë.
Kultura e turizmi tanimë do zhvendosen tek një vend i ri “strategjiko-turistik”, tek pista e automotoparkut 181 milionësh afër varrezave të Elbasanit dhe ish pikës grumbullimit të plehrave.
Ndërsa përsa i takon rendit, ka dalë lajmi “i keq” si për të heq syrin e keq, por këtë pritet ta vërtetojë SPAK, se sapo është marrë vesh se kush do e drejtojë, shumë nga krerët e bandave kanë shpallur publikisht se po bëjnë gati vetvrasjet nga frika.
Të tjerët pastaj janë sipas formulës: Ma shkruaj emrin dhe mua!
Dhe që ceremonia të kishte patjetër kulm, nuk mund të mungonte ministri kampion.
Kështu vendi ku gati 40% e popullsisë të të cilit jeton nën nivelin e varfërisë, vendi me cilësi arsimore miserabël, me universitete që nuk njihen gjëkundi dhe nga askush, me arsim parauniversitar në vendet e fundit të botës sipas testit PISA, vendi pa ujë të pijshëm 24 orë, vendi me eksodin më të madh të të rinjve, vendi me pagat e pensionet më të ulëta, më kriminalietin më të madh, me ekonominë të sunduar nga paratë e pista, mundi me shpatën e Haxhi Qamilit e jataganin e Diellës Gjermaninë, Anglinë, Francën, Zvicrën Japoninë, Amerikën bashkë e u vetshpall kampion në Inteligjencë Artificiale.
E kjo fiks sic ndodhi me kampionatin botëror të fundit të futbollit për të cilin Kim Jong un vetëshpalli si kampion kombëtaren e Korese së Veriut, e cila jo vetëm që nuk mori pjesë, por e mund dhe Kamza.
Aferim Dumbabës e dumbabistëve!
Rroftë Dovleti!