Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi sot raportin për klimin e investimeve në Shqipëri 2025.
Në raport theksohet se investitorët e huaj vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin sfidat e vazhdueshme për investimet dhe biznesin për shkak të, korrupsionit në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike; konkurrencën e padrejtë dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, dhe pastrimin e parave.
Një ndër pikat kryesore të përmendura në raportin e DASH-it, ishte korrupsioni i përhapur në sektorin publik, gjyqësor dhe përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat.
DASH evidenton se korrupsioni dhe ndërhyrjet politike vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin e shtetit ligjor, një pengesë e drejtpërdrejtë për investimet që kërkojnë siguri ligjore dhe zbatim të kontratave.
PPP-të dhe statuset “strategjike”, janë rruga e shndërrimit të pasurisë publike në fitime private.
Qeveria po përdor instrumente si ligji për marrëveshjet PPP për t’u dhënë favore projekteve të përzgjedhura pa transparencë, pa konkurs real dhe me konflikt interesi të dukshëm. Miratimi i projekteve strategjike pa verifikime të pavarura, si në rastin e resorteve turistike, rrit dyshimet për ndarje favoresh dhe humbje të interesit publik.
Autoritetet amerikane kanë theksuar se paratë e drogës dhe ekonomia informale po shtrembërojnë konkurrencën. Fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga lëndët narkotike, ka krijuar një ekonomi paralele që blen influencë, konkurrentë dhe ndërton kulla, duke deformuar tregun dhe duke nxjerrë jashtë gara investitorët seriozë.
Raporti përmend mungesën e transparencës dhe praktikat që favorizojnë kompanitë e lidhura me pushtetin gjatë tenderave. Kur prokurimet publikë nuk janë transparente, investitorët e zgjuar largohen dhe i lenë vendin biznesit të lidhur me krerët politikë. Kjo është arsyeja kryesore pse investimet e huaja serioze shmangen dhe pse projektet serioze tekniko-financiare nuk vijnë në Shqipëri
Në raport evidentohet se investitorët e huaj vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për biznes. Ata përmendin sfidat e vazhdueshme për investimet dhe biznesin në vend, të cilat lidhen me: korrupsionin në sektorin publik, gjyqësor dhe prokurimet publike; konkurrencën e padrejtë dhe të shtrembëruar; një ekonomi të madhe informale; pastrimin e parave; ndryshime të shpeshta të legjislacionit fiskal; të drejtat mbi pronën; dhe zbatimin e dobët të kontratave.
Sipas DASH Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë se mund të jenë objektiva të zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale.