U akuzua për shpifje, GJKKO pushon çështjen ndaj Flamur Nokës

Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen e denoncimit ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, që ishe denoncuar para zgjedhjeve të 11 majit.

Polici i burgut, paditës, Gjergji Vishkulli, e akuzonte deputetin e PD-së për shpifje në lidhje me denoncimin që ligjvënësi bëri më 8 maj se një grup policësh të Burgut të Peqinit ishin përfshirë në fushatë elektorale për shtabin e kandidates aktualisht deputete e PS, Sara Mile dhe grupit të Suel Çelës në Elbasan.

Gjykata e gjeti të pavend denoncimin dhe pushoi sot çështjen. Vendimi u mor nga gjyqtarja e GJKKO, Rudina Palloj.

Noka në denoncimin që bëri gjatë zgjedhjeve parlamentare publikoi një listë me mbi 10 persona, efektivë burgjesh, për të cilët tha se ishin në shtabin e deputetes dhe bënin fushatë për të, duke ushtruar presion dhe kërcënime ndaj kolegëve për heqje nga puna nëse nuk votonin Sara Milen.

Ai deklaroi se madje në lokalin e një prej efektivëve ishte mbajtur edhe një takim elektoral për këtë qëllim.

Pas padisë së efektivit Vishkulli, tani GJKKO e ka pushuar çështjen duke mos e gjetur të mbështetur, kurse paditësi ka të drejtë të ankimojë.

Vendimi i GJKKO-së për çështjen:

“I dëmtuari akuzues Gjergji Vishkulli ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “ 1. Deklarimin fajtor të të akuzuarëve Flamur Noka dhe Shoqëria Tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k”, të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht;

  1. Detyrimin e të paditurëve për të dëmshpërblyer paditësin për dëmin jashtëkontraktor të pësuar nga cënimi i nderit dhe i personalitetit si dhe cënimi i imazhit personal, profesional.
  2. Detyrimin e të paditurëve të akuzuar të përgënjeshtrojnë lajmin e publikuar në portalin e adminsitruar nga ana e tyre me shpenzimet e veta nëpër të gjitha mediat kombëtare duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata.”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 62, datë 03.10.2025 vendosi:

Pushimin e gjykimit të çështjes me nr. Regj.Them. 97 datë regjistrimi 08.05.2025, që i përket palëve: I dëmtuar akuzues: Gjergj Vishkulli, I akuzuar: Flamur Noka dhe Shoqëria Tregtare “3 DS & AF Entertainment sh.p.k.”, me objekt: “-

Deklarimin fajtor të të akuzuarve të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht.

Detyrimin e të paditurve për të dëmshpërblyer paditësin për dëmin jashtëkontraktor të pësuar nga cenimi i nderit dhe i personalitetit si dhe cenimi i imazhit personal, profesional.

-Detyrimin e të paditurve të akuzuar të përgënjeshtrojnë lajmin e publikuar në portalin e administruar nga ana e tyre me shpenzimet e veta nëpër të gjitha mediat kombëtare duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata”.”, për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të përligjura të palës së dëmtuar akuzuese.

Shpenzimet gjyqësore të kryera deri në këtë moment, i ngarkohen palës së dëmtuar akuzuese.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, më datë 03.10.2025″.

About Redaksia

Check Also

1800 dollarë për të mbyllur llogaritë! Kush fshihet pas sulmit ndaj protestuesve në Tiranë?

Komisioni Evropian ka nisur hetim ndaj kompanisë Meta, pas pezullimit masiv të llogarive në rrjetet …