Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Ilir Rusmalin e kam shkarkuar si ministër për korrupsion! Edi Rama është mashtrues ordiner.
Duke folur në konferencën me gazetarët të hënën e 6 tetorit, Berisha tha se, Edi Eama është një mashtrues ordiner, që përmes një akti të pashembullt, shkelmoi Kushtetutën dhe ligjet, vetëm për të varrosur politikisht Erion Veliajn.
“Ata janë juristë, besnikë të ligjit dhe të Kushtetutës.
Pse, në narkoshtetin shqiptar ka kryeministër, kryetar organizate kriminale që nuk përfill ligj dhe as Kushtetutë, siç është Edi Rama, që në një akt të pashembullt, shkelmoi Kushtetutën dhe ligjet vetëm e vetëm për të varrosur përfundimisht politikisht Erion Veliajn.
Ka një njeri hipokrit për të mos i thënë edhe më shumë, por unë nuk dua të prish gojën time, i cili bëri një skenar që unë ua nxora këtu para jush para se të shpalosej, siç jeni dëshmitarë.
Unë u thashë se po përdorin këtë platformë antikushtetuese, thellësisht antikushtetuese, dhe njëherë për çdo njeri që i thotë shtetit, shtet, dhe Kushtetutës, Kushtetutë, neni 115 i Kushtetutës nuk lë asnjë lloj hapësire.
Por kur ka një kryeministër që edhe atje në birucë ku është e ka frikë Erion Veliajn, ka tmerr nga Erion Veliaj, dhe i lejon vetes të bëjë gjithçka, të shkelë çdo lloj ligji për ta larguar në kundërshtim me…
Më falni, po sa muaj ndenji kryetari i bashkisë së Tropojës në arrest shtëpie? Mbi 10 muaj.
Mos mendoni se po qaj hallin e Erion Veliajt, ne kemi votuar, e kemi kërkuar të parët, votuam dhe do votojmë për groposjen e tij politike.
Por ne nuk jemi kurrë dakord për dhunimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
Se Shqipëria ka një president të marrë peng nga aferat korruptive që ka me kryeministrin, me gjirin e Limianit dhe me prona të tjera të ushtrisë, që ka shkelur ligje dhe Kushtetutë duke firmosur, kjo nuk do të thotë që ne do të pajtohemi.
A e dëgjuat ju? Njëri thoshte, më tha stafi. Lexoni pak në qoftë se gjeni në historinë e botës një president që të fshihet për dekretin antikushtetues pas stafit.
Stafi në qoftë se të thotë një akt antikushtetues, pushohet në vend nga puna.
Po stafi, edhe po ta tha, nuk ta imponon dot.
Ky e ka kuptuar krimin që ka kryer dhe thotë më ka shtyrë stafi.
Kurse ai tjetri citon një ish-bashkëpunëtor timin, dhe unë ua them ju këtu, Edi Rama është një mashtrues ordiner, vulgar.
Ilir Rusmali është shkarkuar nga Sali Berisha për korrupsion.
Ngjarja ka qenë, drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Dashamir Maçi, kishte hapur një tender.
I vëllai i ministrit i shkon drejtorit dhe i kërkon tenderin.
Nuk ishin standardet e Edi Ramës, as të Lubisë, ishin standardet e Sali Berishës.
Ai thotë, ik tani dhe mos u duk këtu se nuk ke punë ti, je vëllai i ministrit, nuk mund të vish këtu për tenderin.
I vëllai i ministrit e kërcënon drejtorin e përgjithshëm se do pësosh këtë dhe atë.
Mençurisht ai e regjistron. Mençurisht Dashamir Maçi e regjistroi kërcënimin dhe e solli në zyrë tek unë.
Ilir Rusmali, në vend që të kritikonte vëllain dhe të mbante qëndrim ndaj vëllait, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, shkarkon drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, në një kohë kur nuk ishte nomenklaturë e tij, ishte e kryeministrit ose e këshillit të ministrave. Ministria kishte vetëm propozimin.
I them, se më duhej të nisesha jashtë, sapo të kthehem do e trajtoj.
Vij unë këtu, ky kishte bërë shkarkimin.
Në qoftë se ishte për të qëndruar ndaj korrupsionit, ministri duhej të lavdëronte drejtorin për qëndrimin që mbajti ndaj vëllait të tij, që i tha jo nuk ke punë ti këtu me tenderin.
Por ministri mbajti anën e vëllait, çka do të thotë se mund të kishte interesa, dhe shkarkoi drejtorin.
Dhe unë shkarkova ministrin.
Absolutisht. I thashë, me këtë që ke bërë, duhet të largohesh.
Do bëhej largimi, shkoi në zyrë dhe solli një shkresë dorëheqje dhe kjo është gjithë puna.
Por historia është kjo.
Po ta lëmë këtë histori.
Ky, personi që i referohet Edi Rama, e di si është ky?
Ky është këshilltar i presidentit, të cilin ligji nuk e lejon të kryejë asnjë detyrë tjetër, shkon dhe merr detyrën e kryetarit të KAS-it, një pagesë tjetër si shërbëtor i Edi Ramës.
Ja, ky është juristi, ky është stafi.
Po këta janë njëlloj të gjithë.
Prandaj gjejnë njëri-tjetrin.
Ata duhet të respektojnë Kushtetutën, sepse avoketërit e Erion Veliajt, me sa di unë, dekretin e Bajram Begajt e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese përsëri. Është një e drejtë e tyre.
Dhe sigurisht çdo jurist nuk mund të bëhen as Rusmalë, as Bajram, as Edi Ramë, duhet t’i qëndrojnë ligjit.
Ligji kërkon që të pritet vendimi i gjykatës. Kjo është e gjitha”, përfundoi Berisha.