Vrasja e gjyqtarit Kalaja, prokurorët kërkojnë mbledhje urgjente për sigurinë e magjistratëve!

Trupa e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka kërkuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente për të diskutuar sigurinë fizike dhe mbrojtjen e figurës dhe dinjitetit të magjistratëve, pas ngjarjes tragjike ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në sallën e gjyqit si pasojë e një sulmi me armë zjarri.

Në një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorët theksojnë nevojën për një reflektim institucional dhe vendimmarrje kolektive për të adresuar boshllëqet serioze në sistemin e sigurisë brenda institucioneve të drejtësisë.

Kërkesa mbështetet në nenet 113 të ligjit nr. 115/2016 dhe nenet 54–56 të ligjit nr. 97/2016, duke argumentuar se mbledhja e përgjithshme e prokurorëve mund të thirret jo vetëm për qëllime zgjedhore, por edhe për emergjenca institucionale që prekin sigurinë dhe pavarësinë funksionale të magjistratëve.

Çështjet që kërkohet të diskutohen përfshijnë, sigurinë fizike në ambientet e prokurorive, përfshirë kontrollin e hyrjeve dhe praninë e policisë, kushtet e transportit dhe akomodimit të prokurorëve.

Kërkesa është firmosur nga më shumë se një e dhjeta e trupës së prokurorëve, siç kërkohet nga ligji, dhe nënvizon urgjencën për mbledhjen brenda afatit më të shkurtër të mundshëm.

Vendimet që pritet të dalin nga kjo mbledhje do të shërbejnë si bazë për propozime konkrete ndaj institucioneve shtetërore për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha nivelet.

About Redaksia

Check Also

“ARTE.TV”: Si po vërshon droga nga Sinaloa drejt Shqipërisë! BE po flirton me një narko-shtet!

Nga ARTE.TV Kokainë, kanabis, heroinë. Mafia shqiptare kontrollon një pjesë të madhe të trafikut të drogës …