CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Përfundojnë homazhet, arkëmorti i gjyqtarit Astrit Kalaja përcillet për në Shkodër

Kanë përfunduar sot në Pallatin e Kongreseve homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë në sallën e gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës.

Pas përfundimit të ceremonisë mortore, arkëmorti me trupin e tij të pajetë është nisur drejt Shkodrës, ku Kalaja do të prehet në banesën e fundit.

Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë në ambientet e institucioneve të drejtësisë, ndërsa kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi masat e sigurisë në gjykata.

Ngjarja ndodhi më 6 tetor, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Rreth orës 13:42, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë duke kaluar nëpërmjet pajisjes së skanimit (detektor metalesh), e cila ka sinjalizuar prezencën e objekteve metalike.

Pavarësisht alarmit, punonjësi i sigurisë Banush Koxha nuk ka kryer kontroll fizik dhe as ka regjistruar hyrjen e tyre në librin e protokollit, siç parashikon procedura standarde.

Dy shtetasit kanë qëndruar në hollin e pritjes deri në orën 15:29, kur janë futur në sallën e gjyqit nr. 3. Vetëm 6 minuta më pas, në momentin që gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, Elvis Shkambi ka nxjerrë një pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit.

Kalaja, i plagosur rëndë, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, pavarësisht ndihmës së parë të ofruar në vendngjarje.

Në të njëjtin moment, autori ka qëlluar edhe në drejtim të shtetasve Rakip dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur. Të dy ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Pas sulmit, autori ka dalë nga salla, ka dorëzuar armën te një punonjës tjetër gjyqësor dhe është neutralizuar dhe arrestuar menjëherë nga forcat e policisë në oborrin e Gjykatës.

About Redaksia

Check Also

PD dhe opozita me kandidatë të pavarur në të 6 bashkitë

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se për të 6 bashkitë që do të mbajnë …