Sipas Bankës së Shqipërisë, në 12 muajt mes qershorit 2024 dhe qershorit 2025, efekti i kursit të këmbimit i tkurri depozitat në valutë të huaj me 43 miliardë lekë, ndërsa që nga fillimi i vitit efekti ishte gjithmonë negativ, në vlerën e 16 miliardë lekëve.
I vlerësuar për dy vitet e fundit (qershor 2023-qershor 2025), efekti negativ i kursi të këmbimit mbi vlerën e depozitave, sipas Bankës së Shqipërisë, ka arritur në 91 miliardë lekë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se baza e depozitave të mbajtura në sektorin bankar vijoi të zgjerohej me ritme të shpejta edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Rritja e depozitave gjatë periudhës lidhet kryesisht me zgjerimin e llogarive rrjedhëse, depozitave me afat, depozitave të individëve dhe depozitave në monedhën vendase. Depozitat e bizneseve janë tkurrur lehtë gjatë 6-mujorit, ndërsa ato të sektorit publik dhe ato në valutë regjistruan rritje të moderuara. Struktura e depozitave nuk tregoi ndryshime të qenësishme.
Vëllimi i depozitave sipas afatit është i shpërndarë në mënyrë pothuajse të barabartë midis llogarive rrjedhëse (43%) dhe depozitave me afat (44%), ndërsa depozitat e individëve dhe depozitat në valutë zënë përkatësisht 79% dhe 52% të stokut të përgjithshëm të depozitave.
Në mesin e këtij vitit, depozitat arritën në nivelin e 1.722 trilionë lekëve, duke u rritur me 2.9% që nga fillimi i vitit dhe me 7.5% në terma vjetorë.
Në krahasim me një vit më parë, depozitat në Lek u zgjeruan me 77 miliardë lekë (10%), ndërsa ato valutë dhe 44 miliardë lekë (5.2%).
Për depozitat në Lek, rritja vjetore është përgjithësisht e shpërndarë në mënyrë të barabartë
midis dy gjashtëmujorëve, ndërsa depozitat në valutë shfaqin një sjellje të dukshme sezonale, duke u rritur më shumë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2025.
Në mungesë të ndryshimeve në kursin e këmbimit, norma e rritjes së depozitave në valutë huaj do të ishte 9.1%. Me të njëjtin vlerësim, vetëm për depozitat në valutë, norma e rritjes vjetore do të ishte 8.2%.
Segmenti i depozitave në Euro (duke përjashtuar ato në valuta të tjera) u rrit me 7.5% ndaj një viti më parë, ku kontributin e vetëm pozitiv e dhanë depozitat në Euro të individëve.
Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë e kanë ngadalësuar rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek këtë vit, por pa arritur ta frenojnë plotësisht këtë rënie.
Në fund të muajit qershor, monedha europiane këmbehej me 98.08 lekë, në rënie vjetore me 2.2%. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, kursi pësoi rënie të mëtejshme, duke shënuar një minimum të ri historik prej 96.78 lekësh në muajin shtator./Monitor