Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur zyrtarisht procedurat për propozimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për “shkelje të rëndë të Kushtetutës”.
Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së sotme të grupit, ku u miratua nisma në “mbështetje të pikës 2 të nenit 90 të Kushtetutës së Shqipërisë”.
Sipas PD-së, ky hap është “një veprim i domosdoshëm për mbrojtjen e institucioneve dhe integritetit të Kushtetutës”.
Në të njëjtën mbledhje, demokratët miratuan edhe ngritjen e një Komisioni Hetimor për “parregullësitë në farsën zgjedhore të 11 majit 2025”.
PD gjithashtu ka denoncuar ashpër qasjen e mazhorancës socialiste ndaj mekanizmave parlamentarë të kontrollit, duke e konsideruar të papranueshme mënyrën se si, sipas tyre, po mbyllet çdo hapësirë debati në Kuvend.
Sipas PD, vetëm gjatë kësaj jave janë refuzuar tre mocione me debat, një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin dhe një tjetër për seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Mocionet e refuzuara lidhen me:
-Prioritetet e qeverisë në programin që përparon agjendën europiane të Shqipërisë;
-Dënimin e genocidit serb në Kosovë, në vijim të kërkesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani;
-Gjetjen e mekanizmave ligjorë që ofrojnë siguri për Bashkimin Europian që të zhbllokojë 112 milion euro nga programi IPARD 3, përmes ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar.