Nga Agim XHAFKA
Dialogu më poshtë ngjan si sajim humoristik.
Ashtu mbase duket në shtete që janë shtete. Tek ne jo që besohet, jo që ngjan me të vërtetën, por nga humoristik kthehet në dramatik. Ku po shkojmë kështu? Ku po mbytemi? Se fundin në çdo sektor e kemi kapur tash ca vite. E kemi përqafuar dhe qeveria jonë punon e lufton me përkushtim të madh të mos e lëshojë. Është salduar atje. Te dështimi.
**. **. **. **
-Ollgë, më në fund më filloi punë çupa.
-Ku kështu, me?
-Në Ministri.
-Ua sa mirë! Bëri ndonjë konkurs a si?
-Hahaha, jo moj motër jo. E rregulloi Golja.
-Gole hajduti, moj! Lëviz vendit!
-Po, po, ai i tëri. Gole hajduti fiks. U kam sjellë vota unë e nuk ma bëjnë fjalën dysh, më tha. Tak-fak nisi punë goca. Punë zyre. Asgjë nuk bën e çdo muaj merr goxha rrogë.
-Po sa lekë të kërkoi Golja, me?
-Hiç, asgjë. Asnjë lekë. Për atë bukë! Më mjaftojnë tenderët që më japin, tha.
-Eh, sa gabim, kot e largova unë çunin nga Golja. Ishin shokë në 9-vjeçare. Mos rri me shokë të këqinj, i thashë. Se Goles si hajdut i kishte dalë nami deri në Spanjë. Eh, të më ishte bërë dhe çuni hajdut si Golja tani do kishim të siguruar ilaçet e mija e të plakut të paktën. Do kishim bërë dhe nder me vende pune nëpër lagje. Mbase do vinte dhe dhëmbët burri, Gaqo ziu që përtyp përshesh tash tre vjet. Ah, moj kokë sa dëm bëre që largove çunin nga Gole hajduti! Ah…