Pak minuta përpara këtij artikulli ai u bë objekt i një akuze të rëndë. Në Kuvendin e Shqipërisë, një deputet i opozitës, ish -ministër i Brendshëm, tha se policia që Ilir Proda drejton ka shoqëruar me makinat e saj një prej njerëzve më të kërkuar të drejtësisë, kreun e një prej grupeve më të rrezikshme kriminale në vend, Suel Çelën.
“Sepse nuk keni policë të mbroni gjykatën e Apelit, por për ta shoqëruar Suelin te dentisti nga Elbasani në Tiranë, me makinë policie dhe policë, keni policë. Ja pra, kjo është e vërteta. Jo më larg se para dy javësh. Po të ndodhte kjo gjë në çdo vend të botës, do shembej gjithë shteti. Kurse për ju bëhen filma”, – deklaroi Flamur Noka.
Vërtetësia e kësaj akuze të rëndë, të bërë mes debateve në parlament për dështimin e policisë në rastin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Apelit në Tiranë, mbetet për t’u vërtetuar. Por në çdo shtet normal, vetëm lajmi se policët kanë shoqëruar me eskortë policore një person të shumëkërkuar për një sërë krimesh, si Suel Çela, do të mjaftonte që Ilir Proda ta kishte lënë zyrën me shpejtësi e ta shkruante dorëheqjen në makinën e policisë që po e drejtonte me shpejtësi në zyrat e Kryeministrisë.
Në Shqipëri, ku çdo ditë trumpetohet “reforma e suksesshme në drejtësi” dhe “lufta e suksesshme ndaj krimit”, Ilir Proda ka shumë gjasë që te ketë marrë ndonjë SMS inkurajuese të llojit “mos e ça kokën, se Flamuri e tha” dhe të vijojë punën si një ditë normale.
Në këtë vend askush nuk mund të shpresojë se Edi Rama mund t’ia flakë kapelen me një të rënë të lapsit një Drejtori Policie që SPAK i ka sekuestruar celularin, nën dyshimet se ka ushtruar aktivitet krimial. Opozita e akuzon vazhdimisht se ka qenë pjesë e bandës së Suel Çelës dhe ai s’i ka mohuar ndonjëherë këto akuza.
Pavarësisht kësaj, Ilir Proda po lejohet të shtrijë “tentakulat” e tij brenda organizatës së policisë, me emërime të dyshimta të njerëzve të besuar në pozicione kyçe. Siç mëson Zoom.al ai pritet të emërojë drejtor policie në një qark të rëndësishëm një prej efektivëve të policisë të opozita e akuzon si më të korruptuarin dhe të lidhur me bandat e krimit dhe trafikut të drogës.
Akuzat e Flamur Nokës mund të mos jenë të vërteta. Por shteti do të duhet të vihej në lëvizje me shpejtësi për ta hetuar ngjarjen në themel. Përndryshe, Ilir Proda do të duhet ta padiste menjëherë deputetin Noka për shpifje, denigrim apo cënim të figurës.
Nëse nuk ndodh as njëra dhe as tjetra, Ilir Proda dhe Edi Rama e kompromentojnë edhe më shumë veten dhe institucionet e shtetit që ata drejtojnë. Duke mos bërë atë që duhet, ata u humbasin institucioneve edhe atë pak autoritet që u ka mbetur. Dhe ka vetëm një përgjigje të mundshme përse Edi Rama nuk e ka shkarkuar ende në këto momente Ilir Prodën: i intereson kjo situatë dhe lidhjet e tij të dyshimta, përndryshe do ta kishte flakur me kohë. /Zoom.al