Për garën në Tiranë, një nga më të diskutuara politikisht, opozita ka vendosur të mos paraqesë një kandidat të drejtpërdrejtë nga radhët e saj, por të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj, i njohur si aktor dhe aktivist.
Një vendim i ngjashëm është marrë edhe në Vlorë, ku PD mbështet kandidatin e pavarur Dionis Sota, i cili ka prezantuar publikisht vizionin e tij për qytetin me moton “Një Vlorë Evropiane për të gjithë”.
Në Tepelenë, PD ka përzgjedhur Gabriel Gumën, një sipërmarrës 26-vjeçar, që do të përballet me kandidatin socialist Gramoz Sako, ish-komandant i Gardës.
Në Bashkinë e Matit, opozita ka kandiduar Eduart Brahilikën, avokat me profesion, i cili do të garojë përballë kandidatit të PS-së, Altin Bojni.
Për Cërrikun, PD ka përzgjedhur Amarildo Hoxhën, mjek me profesion, i cili do të garojë në zgjedhjet e 9 nëntorit kundër Florenc Dokës nga Partia Socialiste; kjo bashki është liruar pas emërimit të Andis Sallës si ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në Berat, PD ka kandiduar Pavlo Shkarpën. Zgjedhjet e pjesshme në këto bashki vijnë si pasojë e vakancave të krijuara pas zgjedhjes së kryebashkiakëve aktualë si deputetë të PS-së në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa në Vlorë dhe Cërrik, postet u liruan pas dorëheqjes së Ermal Dredhës dhe emërimit të Andis Sallës si ministër.
Sa i përket Tiranës, edhe pse përfshihet në listën e bashkive me vakancë, zhvillimi i zgjedhjeve është pezulluar deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pritet të shqyrtojë ankimin e Erion Veliajt ndaj vendimit për shkarkimin e tij.