Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, ka reaguar ashpër ndaj planit të qeverisë për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po synon të përqendrojë edhe më tej pushtetin në duart e tij.
Berisha tha se, Rama kërkon të ulë numrin e bashkive në vend në vetëm 30, një veprim që do të “pjesëtonte fuqinë e votës së qytetarëve” dhe do t’i largonte ata nga pushteti vendor.
“E kemi theksuar këtu, nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa praninë e ODIHR. Do ftohet dhe do i dërgohet ftesë ODIHR, pasi të pranojnë ftesën, duhet një ftesë nga të gjitha palët, pozita dhe opozita dhe natyrisht me praninë e ODIHR ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë një e nga një të gjitha rekomandimet e misioneve të vëzhgimit, të cilat nga 2013 e gjer sot nuk janë marrë parasysh.
Për reformën territoriale, ne kemi dorëzuar, në parlament ekziston një projekt i PD-së dhe opozitës për reformën territoriale i cili ndryshon si nata me ditën me projektin që ka ndërmend Edi Rama.
Edi Rama ka ndërmend faktikisht të pjesëtojë me disa herë fuqinë e votës së qytetarëve shqiptarë. Të largojë pushtetin prej tyre dhe ti katandisë nga 62, në mos gaboj në 28 apo 30 bashki dhe komuna.
Natyrisht reforma e parë e tij, ishte një katastrofë, një kaos. Mjafton të kujtoj këtu se, një qark me 120 mijë banorë, ka 7 njësi të qeverisjes vendore, një qark me 1 mln banorë ka 4 njësi të qeverisjes vendore. Kjo është e vërtetë për Tiranën dhe Gjirokastrën.
Kështu që për këtë të dytë, nuk mund të shprehem se edhe këtu kemi një kusht të panegociushëm, praninë e përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”, tha Berisha.
