KMSH kundër ndërtimit të kullës 35 katëshe në Shkodër: Shkelje e ligjit dhe e vendimeve gjyqësore

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka reaguar ndaj nisjes së ndërtimit të kullës “Rozafa Tower” mbi një pronë vakëf në qytetin e Shkodrës, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje flagrante të ligjit dhe një cenim të të drejtës së pronësisë.

Në deklaratën zyrtare, KMSH thekson se ndërtimi po kryhet në kundërshtim me vendimet e formës së prerë të gjykatave shqiptare, të cilat prej vitesh kanë njohur pronësinë legjitime të truallit në favor të Komunitetit Mysliman, Kishës Orthodhokse dhe familjes Laçej.

Sipas KMSH, institucionet shtetërore si Ministria e Financave, Ministria e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Zyrat e Përmbarimit dhe Kadastrës në Shkodër, kanë dështuar të zbatojnë vendimet gjyqësore, duke lejuar ndërhyrje të paligjshme dhe duke i hapur rrugën ndërtimit të objektit në kundërshtim me ligjin.

“Mosrespektimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe vepër penale, që minon parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet,” thuhet në reagimin e KMSH.

Nëse situata nuk gjen zgjidhje në rrugë institucionale brenda vendit, KMSH paralajmëron se do ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Reagimi Zyrtar:

Reagim mbi pronën vakëf në Shkodër dhe ndërtimin e paligjshëm mbi të

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për faktin se, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave shqiptare, mbi një pronë vakëf në qytetin e Shkodrës ka nisur ndërtimi i kullës “Rozafa Tower”.

Ky veprim përbën një shkelje të hapur të ligjit, një cenim të të drejtës së pronësisë dhe një akt mosrespektimi ndaj institucioneve fetare dhe trashëgimisë vakëf.

Prej më shumë se tre dekadash, kjo pronë ka qenë objekt i një kalvari të gjatë gjyqësor dhe administrativ. Në vitin 1996, me vendimin nr. 1586 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Shkodër, prona është njohur në favor të KMSH, me të drejtë parablerjeje të objektit të ndërtuar mbi pronën vakëf. Në vijim, Gjykata Kushtetuese në vitin 1999 dhe Gjykata e Lartë me vendimin nr. 00.2014.3003(316), datë 24.04.2014, konfirmuan përfundimisht të drejtën e pronësisë mbi këtë truall në favor të pronarëve legjitimë: Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Orthodhokse dhe familjes Laçej.

Megjithatë, pavarësisht këtyre vendimeve, institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Zyrën e Përmbarimit Shkodër dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Dega Shkodër, nuk kanë zbatuar detyrimet e tyre ligjore, duke lejuar ndërhyrje të paligjshme mbi pronën dhe duke i hapur rrugën ndërtimit në kundërshtim me çdo akt gjyqësor.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se moszbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe vepër penale, që minon parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet.

Në këtë situatë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve shtetërore për zbatimin e plotë të vendimeve gjyqësore që njohin pronësinë e ligjshme, ndërprerjen e çdo veprimi ndërtimor mbi pronën vakëf dhe hetimin e përgjegjësive të zyrtarëve që kanë shpërdoruar detyrën.

Sigurojmë të gjithë besimtarët se Komuniteti Mysliman mbetet i vendosur të vijojë me të gjitha mjetet ligjore mbrojtjen e pronës vakëf.

Nëse kjo e drejtë vijon të cenohet, KMSH do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të kërkuar zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe dëmshpërblimin për shkeljet e përsëritura.

 

About Redaksia

Check Also

Parodia me patinat!/ Berisha: Kompania e bashkisë “binbin” e skuterave vazhdon punën për t’i nxjerr në terren

Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar aksionin e djeshëm për bllokimin e skuterëve elektrike …