Arritjet dhe sfidat e Bankës së Shqipërisë

Nga Bujar Leskaj

Në ditët e sotme, sfida më e madhe për bankat qendrore kudo në botë është të frenojnë rritjen e inflacionit, pa shkaktuar rënie ekonomike. Teoria dhe praktika botërore sugjerojnë se qëndrueshmëria e çmimeve është kontributi më i madh që një bankë qendrore mund të japë, për të mbështetur rritjen afatgjatë ekonomike të vendit të vet. Ne duhet t’i besojmë dhe të vlerësojmë kontributin e bankës qendrore të vendit në përmirësimin e kuadrit makroprudencial të vendit. Sigurisht që ka ende shumë hapësira për të përmirësuar punën dhe për të shtuar kontributin në çështje si lufta kundër pastrimit të parave dhe kontributi më i qenësishëm ndaj ndihmës për eksportuesit shqiptarë të mallrave.

Lufta kundër pastrimit të parave

Përsa i përket çështjes së parë, BSH kontribuoi ndjeshëm, duke ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore dhe nënligjore që synojnë përputhjen e plotë me standardet ndërkombëtare të Task Forcës Financiare (Financial Action task Force, FATF) dhe Bashkimit Europian. Në veçanti, u përditësuan rregulloret mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke e bërë më të qartë ndarjen e përgjegjësive ndërmjet bankave, institucioneve financiare jobankare dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë forcoi kontrollet mbi klientët bankarë, procedurat e raportimit të transaksioneve të dyshimta dhe standardet për menaxhimin e rrezikut. Një vëmendje e veçantë iu kushtua vlerësimit të risqeve që vijnë nga teknologjitë e reja financiare dhe nga përdorimi i kriptomonedhave, duke u siguruar që sistemi bankar shqiptar të mbetet i mbrojtur ndaj kanaleve të pastrimit të parave përmes mjeteve dixhitale.

Përmes këtyre mekanizmave, Banka e Shqipërisë ka garantuar që bankat tregtare të jenë jo vetëm të ndërgjegjshme për detyrimet e tyre ligjore, por edhe të pajisura me kapacitete reale për identifikimin dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta. BSH publikoi gjatë vitit 2024 Udhëzuesin Praktik për Menaxhimin e Risqeve të Pastrimit të Parave, që ndihmon bankat të vlerësojnë me saktësi profilet e klientëve, burimin e fondeve dhe rrjedhën e transaksioneve. Ky dokument u cilësua nga Moneyval si një praktikë e mirë për vendet e rajonit.

Një tjetër element i rëndësishëm gjatë vitit të kaluar ishte rishikimi i procedurave të mbikëqyrjes në bazë risku (Risk-Based Supervision), që i mundësoi Bankës së Shqipërisë të përqendrojë burimet dhe kontrollin tek institucionet me ekspozim më të lartë ndaj rrezikut të pastrimit të parave. Luftën kundër pastrimit të parave e ka detyrë kryesore Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila “ka dështuar me sukses” edhe gjatë vitit 2024, duke mos raportuar qoftë dhe një rast të vetëm të identifikuar apo të kapur të aktivitetit të pastrimit të parave, një fakt që ka ngritur pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e mekanizmave institucionalë dhe të bashkëpunimit ndërmjet strukturave të shtetit në këtë fushë.

Ndikimi politik në BSH

Ndërkohë, zërat për presione për ndërhyrje politike të sektit Rama në punën dhe drejtimet strategjike të Bankës së Shqipërisë janë shtuar. Ky është një zhvillim që meriton vëmendje dhe reagim publik. Ndërhyrja e qeverisë në politikat monetare apo në vendimmarrjet e pavarura të BSH nuk është thjesht shkelje ligjore. Ajo përbën rrezik real për ekonominë kombëtare. Bankat qendrore nuk krijohen për të përmbushur objektiva elektorale, por për të ruajtur balancat makroekonomike dhe për të garantuar besimin në monedhën kombëtare.

Sekti Rama stimulon pastrimin e parave në vend, përmes sektorit të ndërtimit dhe sektorit real estate. Në momentin që qeveria tenton të orientojë kursin e politikës monetare drejt nevojave të saj buxhetore apo fiskale, ekuilibri i tregut prishet dhe tregjet humbasin besimin. Përvoja ndërkombëtare e ka treguar qartë: aty ku pushteti ekzekutiv ka vënë dorë mbi bankat qendrore, pasojat negative kanë qenë të menjëhershme. Të tilla si inflacion i lartë, dobësim i monedhës kombëtare dhe ulje e investimeve të huaja. Shqipëria nuk mund të lejojë të përsëriten skenarë të tillë.

Prandaj, çdo sinjal i ndikimit politik në Bankën e Shqipërisë duhet të ndeshet me transparencë, reagim publik dhe mbrojtje të ligjshmërisë. Pavarësia e këtij institucioni është interes kombëtar. Opozita duhet të jetë e kujdesshme dhe të promovojë dhe mbështesë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.

Duke qenë se lufta kundër pastrimit të parave është një proces i pandërprerë që kërkon vigjilencë të vazhdueshme, sprova e ardhshme e BSH-së është që institucioni ta shndërrojë këtë sfidë, në një komponent thelbësor të stabilitetit financiar dhe integritetit të tregut bankat dhe financiar të vendit, duke e bërë Shqipërinë një partner të besueshëm për sistemin financiar evropian.

Mbështetja për eksportuesit dhe tregun valutor

Përsa i përket çështjes së dytë, të përballimit të problemeve të mëdha që mbiçmimi i ndjeshëm i lekut ka shkaktuar tek eksportuesit tanë të mallrave, në kushtet aktuale, ndoshta ndërhyrjet selektive në tregun e këmbimit valutor, jo për të manipuluar kursin, por për të zbutur luhatjet e tepërta, mund të ishin një instrument legjitim dhe i justifikuar ekonomikisht.

Po ashtu, një politikë më aktive e blerjes së valutës mund të ndihmojë në rritjen e rezervave ndërkombëtare dhe në frenimin e presionit për mbiçmim, pa cënuar stabilitetin monetar të vendit. BSH, edhe pse e ka propozuar, por pa gjetur mbështjetjen e eksportuesve, mund të nxisë ofrimin me më forcë bindëse të produkteve të posaçme financiare për mbrojtjen nga rreziku i kursit të këmbimit (hedging instruments), në bashkëpunim me bankat tregtare, duke i dhënë eksportuesve një mjet konkret për t’u mbrojtur nga luhatjet.

Një tjetër fushë ku BSH mund të ketë rol më të madh është komunikimi publik dhe transparenca mbi pritshmëritë valutore. Në tregje të vogla si ky i yni, pritshmëritë shpesh kanë po aq ndikim sa realiteti ekonomik. Sinjalet e qarta për politikat monetare, për ndërhyrjet e mundshme të BSH dhe për vlerësimin real të kursit do të ndihmonin bizneset të planifikonin më saktë.

Nëse 2024-a ishte viti i konsolidimit të rezultateve, vitet në vijim pritet të jenë periudha e thellimit të digjitalizimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ku roli i Bankës së Shqipërisë do të mbetet përcaktues për garantimin e një sistemi financiar të pastër, të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet globale.

Sfida kryesore: mbajtja e inflacionit nën kontroll

Në gjykimin tim, sfida numër një e Bankës së Shqipërisë për këtë fundvit dhe vitin në vijim, mbetet si përherë, mbajtja e inflacionit nën kontroll. Edhe pse inflacioni mujor në baza vjetore është ulur ndjeshëm, presionet inflacioniste nga jashtë vendit qëndrojnë kostante dhe baza e presionit mbi çmimet nga brenda vendit, sidomos ato ushqimore dhe bazë, është zgjeruar, pavarësisht se në mënyrë të moderuar.

Gjykoj se Banka e Shqipërisë ka vepruar gjatë vitit të kaluar brenda kornizës së saj ligjore, me përgjegjësi e profesionalizëm, duke përmbushur objektivat e saj të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar. Institucioni duhet të vazhdojë politikën e kujdesshme të normalizimit monetar dhe të mbështesë përpjekjet për zhvillimin e tregjeve financiare në vend, përfshirë lehtësimin e qasjes në kredi për bizneset e vogla dhe mesatare.

About Redaksia

Check Also

Një replikë e detyruar (në largësi) me Dumanin Altin…

Nga Adriana KALAJA Ashtu si kolegët e tij në KLGJ, KLP ILD, edhe Dumani Altin …