Bardhi: Peleshi i mohon opozitës të drejtën për mendim në çështjet Kushtetuese

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzon Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për vendosjen e një standardi të rrezikshëm antikushtetues, që përjashton opozitën nga proceset kyçe parlamentare.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se ndryshe nga paraardhësit e tij, Peleshi e trajton Kuvendin si pronë të partisë-shtet, duke mohuar çdo të drejtë të opozitës për të shprehur qëndrim institucional mbi çështje madhore, siç është përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese.

Reagimi

Në ndryshim nga paraardhësit në detyrën e Kryetarit të Kuvendit, që çështjet që janë në kompetencë të Kuvendit, në rastin konkret mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i kanë trajtuar si çështje të përbashkëta të të gjithë Kuvendit dhe që duhet të pasqyrojnë opinionin e të gjithë Kuvendit, Niko Peleshi vendos një standard të ri. Për Kryetarin e Kuvendit mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë çështje e partisë–shtet, ku opozita nuk mund të ketë rol as për të thënë fjalën e saj.

Shtuar kësaj, Kryetari i Kuvendit vazhdon të firmosë “idiotësira shtetërore”, pa kuptuar se për çfarë e hedh firmën dhe aq më pak për çfarë e përdor vulën e institucionit më të lartë të shtetit Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm në seanca publike dhe meqenëse nuk ka seancë publike, nuk mund të ketë përfaqësues.

Dikush duhet t’i sqarojë apo për shkak të pozicionit të lartë publik që ka marrë përsipër ai vetë duhet të lexojë e kuptojë, që përfaqësimi në rastet kur Gjykata Kushtetutese ka vendosur seancë mbi bazën e dokumentave, realizohet përmes dërgimit të mendimit me shkrim. Niko Peleshi vendosi që opozita s’ka të drejtë as të japë mendim, as të japë opinion, as të mbajë qëndrim institucional mbi çështje të rëndësishme të shtetit dhe që lidhen drejtpërdrejtë me rendin kushtetues. Askush përpara tij nuk ka guxuar të shkojë në këto nivele.

Image

About Redaksia

Check Also

Pse nuk u arrestua Visi i Pojës?/ Dumani kalon përgjegjësinë tek policia

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani i është …