Nga Bujar Leskaj
Me 9 tetor 2025, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare(WIIW), në bashkëpunim me organizatën sllovene të shoqërisë civile “Think Europe” lançoi një iniciativë e re, platformën digjitale kërkimore “Converge2EU” (të konvergosh drejt Bashkimit Evropian), i cili publikon indeksin e konvergjecës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për në BE(https://converge2.eu/index).
Të tetë treguesit e Indeksit “Converge2EU” gjenerohen nga një analizë e thelluar dhe e bazuar në të dhëna, se si vendet e Ballkanit Perëndimor po përparojnë drejt standardeve të jetesës së Bashkimit Evropian. Duke ndjekur se si jetojnë njerëzit në rajon në të vërtetë, përmes treguesve ekonomikë, socialë dhe institucionalë, platforma “Converge2EU” ofron një pasqyrë unike të udhëtimit të rajonit drejt konvergjencës me BE-në.
Duke mbuluar Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, iniciativa mat performancën në tetë fusha kryesore të jetës: në ekonomi, mirëqenie sociale, shëndetësi, arsim, mjedis, qeverisje, dixhitalizim dhe infrastrukturë. Rezultatet paraqiten përmes një paneli interaktiv online, që i bën të dhënat komplekse të kuptueshme dhe të krahasueshme.
I. Të dhëna shkencore kokëforta shpartallojnë propagandën e sektit Rama për progres domethënës në integrim
Sipas këtij studimi shkencor, të bazuar në të dhëna krahasuese mbi zhvillimin ekonomik, social e institucional, Shqipërisë i duhen 64 vite për të arritur standardet e qeverisjes së Bashkimit Europian, 53 vite për të arritur standardin mesatar ekonomik, 71 vite për të përmbushur standardet sociale, 39 vite për sistemin shëndetësor dhe mbi 100 vite për standardet e mjedisit dhe të infrastrukturës.
Këto shifra nuk janë thjesht statistika. Ato janë pasqyrë e një procesi të ngadaltë konvergjence, që tregon sesa larg mbetet Shqipëria nga mesatarja europiane në shumë fusha kyçe të zhvillimit.
Përqindja më alarmante e raportit të “Converge2EU” lidhet me qeverisjen, ku Shqipëria renditet në rajon si një nga vendet që ecin më ngadalë drejt standardeve të BE-së. Sipas plaformës, arsyeja kryesore që nevojiten 64 vite lidhet me (i) mungesën e institucioneve të pavarura, (ii) problemet me sundimin e ligjit, (iii) korrupsionin e përhapur, si dhe (iv)politizimin e administratës publike.
Ndërsa BE mat qeverisjen me indikatorë si transparenca, përgjegjshmëria, efikasiteti i politikave publike dhe cilësia e institucioneve, Shqipëria ende përballet me boshllëqe të mëdha në zbatimin e reformave dhe në ndërtimin e një kulture të mirëqeverisjes, që i reziston ndërrimeve politike.
Në treguesin ekonomik, Raporti thekson se Shqipëria do të ketë nevojë për rreth 53 vite për të arritur mesataren ekonomike të BE-së. Kjo ndodh sepse, edhe pse vendi njeh rritje ekonomike, ajo mbetet e ulët në bazë absolute krahasuar me ekonomitë e zhvilluara europiane. PBB për frymë është rreth 32–35% e mesatares së BE-së, ndërsa produktiviteti i punës dhe niveli i inovacionit mbeten tejet mase të ulëta.
Një tjetër faktor pengues është struktura e ekonomisë, e cila varet ende nga sektorë tradicionalë, si ndërtimi, tregtia dhe remitancat, ndërsa investimet në industri të qëndrueshme, teknologji dhe eksport mbeten të kufizuara.
II. Standardet sociale: hendeku më i vështirë për t’u mbyllur
Në fushën sociale, Shqipëria renditet nga “Converge2EU” me një distancë të madhe nga BE, me një afat rreth 71 vjeçar për arritjen e standardeve europiane. Arsyet për këtë hendek kaq të thellë janë të shumëfishta, nga (i) të ardhurat e ulëta familjare dhe varfërinë masive, tek (i) mungesa e sigurimeve efektive sociale, (iii) pensionet e pamjaftueshme, (iv) pabarazitë në arsim dhe shëndetësi, si dhe (v) emigracioni i lartë i të rinjve dhe profesionistëve. Raporti thekson se përmirësimi i standardeve sociale kërkon politika të qëndrueshme afatgjata, dhe jo masa të përkohshme apo asistencë të shpërndarë në mënyrë fragmentare, sikurse bën rëndom sekti Rama në qeverisje.
Sipas Eurostat, rreth 37% e popullsisë shqiptare është e rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social, ndërkohë që të ardhurat mesatare për frymë janë vetëm një e treta e mesatares europiane. Në shumë zona rurale, mungojnë shërbime bazë si kujdesi shëndetësor, arsimi cilësor, transporti publik apo qasja në infrastrukturë sociale moderne. Ky dualizëm mes qyteteve dhe zonave rurale krijon një realitet të fragmentuar social, ku pjesë të mëdha të popullsisë mbeten jashtë përfitimeve të zhvillimit ekonomik.
Një arsye tjetër pse hendeku me BE-në mbetet i thellë është dobësia e sistemit të mbrojtjes sociale. Skemat e ndihmës ekonomike dhe pensioneve në Shqipëri janë të kufizuara në mbulim dhe të ulëta në vlera reale. Ndihma ekonomike arrin shpesh më pak se 90 euro në muaj për familje, ndërsa pensionet mesatare janë rreth 25% e pagës mesatare kombëtare, shumë më poshtë standardeve europiane.
Ndërkohë, sistemi i sigurimeve shoqërore mbetet i brishtë për shkak të informalitetit të lartë në tregun e punës, kontributeve të pamjaftueshme dhe emigracionit të lartë që e tkurr bazën kontribuese. Kjo krijon një rreth vicioz ku shteti ka më pak të ardhura për mbrojtje sociale, ndërsa qytetarët kanë më pak besim te sistemi publik.
Arsimi dhe formimi profesional janë motorë shumë të dobët të barazisë sociale në Shqipëri. Në Bashkimin Europian, arsimi dhe trajnimi profesional janë themeli i politikave të barazisë dhe mobilitetit social. Në Shqipëri, përkundrazi, përfshirja e ulët në arsimin profesional, cilësia e mësimdhënies dhe përputhja e dobët me tregun e punës, e bëjnë arsimin më shumë formalitet, sesa mundësi reale për zhvillim.
Studimi thekson se tetë në dhjetë të rinj në Shqipëri, të pakënaqur me perspektivat, duan të emigrojnë, si rruga e vetme drejt një jete më të mirë. Ky fenomen, i shoqëruar me “zbrazjen” e trurit, e bën edhe më të vështirë ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të zhvilluar brenda vendit.
Edhe pabarazitë rajonale janë të forta: ndërsa Tirana dhe disa qytete të mëdha po afrohen me standarde të moderuara europiane, veriu dhe jugu rural mbeten në nivele shumë më të ulëta zhvillimi, me mungesë investimesh dhe shërbimesh bazë.
Një nga arsyet më të thella të hendekut social është mungesa e një vizioni afatgjatë për zhvillimin social të vendit. Politikat sociale në Shqipëri janë të fragmentuara, të orientuara drejt nevojave të menjëhershme ose ndikimit elektoral, pa një strategji të qëndrueshme për barazi dhe përfshirje. Ndërsa BE i lidh standardet sociale me qeverisjen e mirë, transparencën dhe efikasitetin e institucioneve publike, në Shqipëri, ndihma sociale dhe subvencionet mbeten instrumente politike, jo mekanizma të mirëfilltë për uljen e pabarazisë.
III. Emigracioni masiv–e keqja që boshatis strukturën sociale të vendit
Studimi cilëson se që nga viti 2012, mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar.Ky emigracion masiv, sidomos i të rinjve dhe profesionistëve, ka krijuar një boshllëk të madh demografik dhe social. Mungesa e të rinjve në tregun e punës, rënia e lindjeve dhe plakja e popullsisë ndikojnë drejtpërdrejt në rënien e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe në shtimin e barrës mbi brezat e ardhshëm.
Në BE, këto sfida menaxhohen me politika të integruara për përfshirje sociale. Në Shqipëri, ato mbeten ende pa një strategji të plotë.
IV. Mjedisi dhe infrastruktura – sfidat 100 vjeçare të Shqipërisë!
Shqipërisë, sipas “Converge2EU”, i duhen mbi 100 vite për të arritur standardet e BE-së në (i) menaxhimin e mbetjeve, (ii) ndotjen e ajrit dhe ujërave, (iii) efikasitetin energjetik, si dhe (iv) transportin publik dhe infrastrukturën rrugore.
Ky hendek i madh është rezultat i mungesës së investimeve afatgjata, planifikimit të dobët urban, si dhe mungesës së standardeve mjedisore dhe kontrollit institucional. Për BE-në, tranzicioni i gjelbër është një prioritet. Për Shqipërinë, ende një sfidë e hapur.
Raporti thekson se arsyet nuk janë vetëm ekonomike, por edhe strukturore dhe institucionale. Procesi i afrimit me BE-në nuk është linear. Vendet me institucione të dobëta, investime të ulëta në arsim e inovacion, dhe mungesë të qeverisjes së mirë, si Shqipëria, ecin shumë më ngadalë.
Në rastin e Shqipërisë, pengesat kryesore janë (i) mungesa e kapaciteteve administrative për të zbatuar reformat e BE-së, (ii) ciklet politike që prishin vazhdimësinë e politikave, (iii) korrupsioni i lartë dhe informaliteti ekonomik, si dhe (iv) emigracioni që redukton forcën punëtore dhe trurin intelektual të vendit.
xxx
Indeksi dhe shifrat e “Converge2EU” janë paralajmërime realiste dhe serioze që e nxjerrin autokratin Rama lakuriq, me propagandën e tij boshe për gjoja afrimin e vendit me hapa të shpejtë me standardet evropiane.
Për një forcë serioze politike, ato do të shërbenin si një udhërrëfyes strategjik për reformat që duhen përshpejtuar, por jo për sektin Rama në pushtet.
Me këtë sekt, nuk ka asnjë shpresë dhe shenjë që Shqipëria të përmirësojë qeverisjen, të rrisë eficiencën e administratës publike, të nxisë investimet në inovacion dhe arsimin profesional, si dhe të fokusohet në mjedis e infrastrukturë të qëndrueshme, për të bërë të mundur që këta tregues dhe këto afate të shkurtohen ndjeshëm.