Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se ka dhënë miratimin për zhvillimin e operacioneve të fshehta të CIA-s në Venezuelë, një lëvizje që shënon përshkallëzim të dukshëm të presionit amerikan ndaj regjimit të Nicolas Maduro-s.
Sipas raportimeve të New York Times, urdhri i klasifikuar synon rrëzimin e Maduros nga pushteti. Administrata Trump ka ofruar deri në 50 milionë dollarë shpërblim për informacion që mund të çojë në arrestimin dhe dënimin e tij për trafik ndërkombëtar droge.
Në një deklaratë publike, Trump tha se ka ndërmarrë këtë veprim pasi “sasi të mëdha droge po hynin në SHBA nga Venezuela”, kryesisht përmes detit. “Tani po fokusohemi në tokë, sepse detin e kemi nën kontroll,” tha ai.
Megjithëse Trump ka akuzuar Venezuelën si një qendër trafiku për substancën vdekjeprurëse fentanil, të dhënat zyrtare amerikane tregojnë se Meksika mbetet burimi kryesor i kësaj droge.
Presidenti republikan ka urdhëruar gjithashtu një grumbullim të madh ushtarak në Karaibet jugore, ku trupat amerikane kanë kryer disa sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, pa dhënë prova konkrete për lidhjet e tyre me Venezuelën.
Në raportin më të fundit për Kongresin, Pentagoni ka njoftuar se SHBA tashmë konsideron se ndodhet në një “konflikt të armatosur jo ndërkombëtar” me kartelet e drogës.
Trump ka akuzuar gjithashtu Venezuelën për “lirimin e të burgosurve dhe personave nga institucionet mendore”, duke pretenduar se disa prej tyre po depërtojnë në territorin amerikan.
Ndërkohë, as Ministria e Informacionit e Maduros dhe as përfaqësuesit e opozitës venezueliane nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar.
Në SHBA, ky vendim ka shkaktuar debate të ashpra edhe në Kongres.