Nenkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar sot me një deklaratë të fortë për situatën në Parlamentin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si “të paprecedentë dhe thellësisht shqetësuese”.
Sipas Gjekmarkajt, mazhoranca po e trajton Kuvendin si pronë private, duke ndaluar opozitën dhe duke shmangur çdo debat politik të hapur.
Deklarata e Gjekmarkajt
Ajo që po ndodh me Parlamentin e Shqipërisë është e paprecedentë dhe thellësisht shqetësuese! Kuvendi është marrë peng në mënyrë të qëllimshme, me synimin e qartë për të heshtur opozitën dhe për të shmangur çdo debat të vërtetë politik. Mazhoranca po sillet me këtë institucion sikur të ishte një pronë private në shërbim të interesave të saj të ngushta partiake. Ata nuk duan debat, nuk duan interpelancë, nuk duan transparencë – e gjithë sjellja e tyre synon të fshijë çdo zë kritik dhe të asgjësojë çdo kontroll demokratik.
Ngjarjet e sotme nuk ishin spontane – ato u provokuan në mënyrë të qëllimshme nga mazhoranca, vetëm për të vendosur një precedent të rrezikshëm: të ndalohen pyetjet e opozitës ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët pritet të raportojnë në Kuvend për çështje të rëndësishme, përfshirë aferat korruptive.
I bëj thirrje z. Niko Peleshi që të ngrihet në lartësinë e postit që mban. Parlamenti i Shqipërisë nuk është i Partisë Socialiste – ai është i qytetarëve shqiptarë. Është hapësira ku bashkëjetojnë mendimet ndryshe, ku zhvillohet debati demokratik, ku përfaqësohen të gjithë ata që kanë votuar, qoftë për mazhorancën apo opozitën.
Fikja me dhunë e debatit, asgjësimi i të drejtës për të bërë pyetje, është një akt i rëndë kundër demokracisë – është dënim me vdekje i vetë parlamentarizmit. Çdo deputet që ka ndërgjegje qytetare dhe përgjegjësi kombëtare duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të mbrojë këtë institucion nga degradimi.
Zoti Peleshi, është koha të silleni si Kryetar i Parlamentit të gjithë shqiptarëve – jo si ushtar i bindur i një partie. Ushtrinë e keni kryer me kohë. Tani keni detyrimin të mbroni demokracinë.