Kushtetuesja i nënshtrohet skenarit Begaj-Sadushi, ndërpret mandatet e Sonila Bejtes dhe Elsa Toskës…

Vendimi i sotëm i Gjykatës bazohet në ligj të skaduar dhe erdhi pas kërkesës së Presidentit Bajram Begaj.

Gjyqtarja kushtetuese, Elsa Toska, u emërua në detyrë në vitin 2019. Kolegia e saj, Sonila Bejtja, u dekretua në vitin 2020. Por, Gjykata Kushtetuese, me një vendim shumë të diskutueshëm, ka vendosur pasditen e sotme që të konsiderojnë fillimin e mandatit të tyre 9-vjeçar në vitin 2016, kur janë larguar nga detyra paraardhësit e tyre.

Me këtë argumentim të habitshëm, shumica e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur se mandatet e dy gjyqtareve përfundojnë në vitin 2025.

Gjykata Kushtetuese, duke qenë e bindur se llogaritë e viteve nuk i dilnin, i ka konsideruar mandatet e Sonila Bejtja dhe Elsa Toskës si të përfshirë në skemën e “përtëritjes 3-vjeçare”, një mekanizëm që ka humbur fuqinë ligjore që në vitin 2022.

Ndërkohë, me një interpretim gjithashtu të diskutueshëm, Gjykata Kushtetuese ka redaktuar edhe mandatet e tre mandateve të tjera. Sipas vendimit të Kushtetuese, gjyqtaret Fjona Papajorgji ikin në vitin 2027, duke iu shkurtuar mandati me nga një vit, ndërsa Ilir Toska ikën në vitin 2028, duke iu zvogëluar qëndrimi në detyrë me 2 vjet.

Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese thotë se, maksimalisht deri në vitin 2022, tre gjyqtarë, njëri i zgjedhur nga Presidenti, njëri nga Parlamenti dhe njëri nga Gjykata e Lartë, do të përfshihen në sistemin e rotacionit 3-vjeçar, pra, do të largoheshin para kohe nga detyra.

Ky nen tashmë ka humbur efektet ligjore, pasi kanë kaluar 3 vite nga përfundimi i zbatimit të tij. Por, shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur ta rikthejë në jetë këtë nen të skaduar, duke e konsideruar, në mënyrë arbitrare, se ai mund të zbatohet edhe në vitin 2025.

Gjykata Kushtetuese u investua për këtë çështje nga një kërkesë e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili kërkonte sqarime për kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të asaj gjykate.

Kërkesa e Begaj ishte vijim i një skenari të nisur më herët nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit udhëhoqi nismën për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj dhe që ka lënë shumë gjurmë edhe si nxitës i presidentit Begaj për të rrëmbyer edhe dy mandate të tjera, ato të Sonila Bejtjas dhe Elsa Toskës.

Dy gjyqtaret e kanë ditur që në momentin e aplikimit se po konkuronin për një mandat të plotë. Gjykata Kushtetuese ka theksuar më herët se dijenia e gjyqtarit për afatin e mandatit është garanci për pavarësinë e tij.

Por, ky standard i vendosur në vitin 2011 dhe që i ka rezituar kohës, u hodh poshtë nga shumica e gjyqtarëve aktualë të Gjykatës Kushtetuese.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj presidentit për pasurinë! Sot është duke ndërtuar 3 vila!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita ka nisur zyrtarisht procedurat …