Nga Ndriçim KULLA
Turpi të mbuloftë o Bajram Begaj, në se këto që po thuhen për ty publikisht, janë të vërteta e që nuk janë dëgjuar kurrë! Gjithsesi, ti e ke për detyrë që të dalësh publikisht dhe të na bësh sqarimin e duhur, si është e vërteta dhe në se nuk janë të vërteta, ti përgënjeshtrosh me hollësi, se ligjërisht e ke edhe për detyrë. Nuk ka qenë askush deri tashti, të paktën deri në këto 35 vjet të jetës pluraliste në Shqipëri, që njerëzit ta kishin për siklet t’i thoshnin emrin dhe ofiqin e lart që i kanë besuar. Sepse ti realisht nuk je i tillë. Pa lexo Bajram, se çfarë thonë njerëzit për ty në rrjetet sociale.
Nuk bëjnë thjesht zhurmë, as nuk shfryjnë, madje bëjnë dhe humor të rezervuar, por vetëm ziejnë të zemëruar ndaj teje. Presidenti të bëj një punë të dytë në një biznes private! Epa dëgjuar, unikale! Këto janë akuza që të janë bërë publikisht dhe ka një normë detyruese sqarimi mbi to, se je president. Ti nuk je një qytetar i thjesht, por je President i Republikës, çfarë nënkupton që të jesh gardian i Kushtetutës që ne kemi, të asaj kushtetute, që e mirë apo jo shumë e mirë, deri tashti të gjitha institucionet me hir ose me pahir janë detyruara që të respektojnë. Ndërsa ti po përpiqesh që ta kthesh në leckë.
Ti nuk je as një zyrtar i thjesht i nivelit të ulët në raport me shërbimin që duhet t’u bëje qytetarëve të këtij vendi, pa lere të ishe ashtu siç duhet të jesh në rolin e qytetarit të parë të Republikës, të njeriut më të moralshëm dhe etikë që edhe me ecjen në rrugë pa lere me sjelljen duhet të shprehje përkushtimin kundrejt të gjithë shqiptarë, qoftë atyre që të kanë përshëndetur, kur parlamenti të zgjodhi ,qofte kundër atyre që shpirtërisht të kanë refuzuar, por gjithsesi në bazë të parimeve pluraliste të kanë respektuar dhe të kanë thirrur si president në çdo komunikim publike dhe jo publik.
Presidenti sot i është vërsulur kushtetutës bashkë me kreun e regjimit. Presidenti është bërë pjesë e llogarive të regjimit dhe u është vërsulur anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe po i trysnon egër me të gjitha mekanizmat, që të krijoje raportin e dëshiruar për ujkun e regjimit, Edi Ramës, që gjërat t’i shkojnë edhe më tej, siç i kanë vajtur këto 12 vjet. Presidenti iu është vërsulur rregullave, ligjshmërisë dhe etikës morale, duke dhënë shembullin i pari për ta bërë anarkinë luftë për fitoren e anarkistëve dhe globalistëve.
Prandaj nesër do kemi më shumë qytetar që do t’ia mbathin nga ky vend, nga sytë këmbët. Sepse goditja e parë që bie mbi ata njerëz, që kanë mbetur në këtë vend është shpresa. Sepse shpresa do shembej pa shembuj. Shembujt me sakrificë janë më frymëzues, por në pa mundësi të tyre, të kishim së paku shembuj korrektësie, modestie, urtësie, dhe përgjegjësie. Por tek Bajram Begaj, të gjitha këto cilësi i ka marrë era dhe janë kthyer në pa asnjë vlerë, sepse nuk po i përjeton kurrë as si qytetar dhe as si President i kësaj Republike.
Është e kotë të komunikosh publikisht me sjelljen tënde si president, pa lere më si qytetar, me gjuhën e kulturës, filozofisë, arsyes, ligjeve ose parimeve të politikës perëndimore, sepse ti e paske shumë të vështirë që të jesh pranë një standardi të tillë. Është e pa mundur të vëmë përballë pasqyrës tënde si President dhe qytetar shembuj nga historia, që kanë arritur nivelin e frymëzimit me modestinë e tyre, të cilët edhe pse nuk kanë qënë shumë të afirmuar kur iu dha besimi për këto poste. Edhe ne kemi shembuj të tillë në jetën tonë modeste politike dhe shoqërore , që jam me plot kurajo për t’iu referuar, si Bujar Nishani apo Rexhep Mejdan, të cilët tash që kanë vite largësi nga detyra e tyre, po na mbushin me mesazhin e tyre të thjeshte, ku detyrën e kishin detyrë dhe kushtetutën e kishin të shenjtë.
Po ku është vallë Presidenti i Republikës së vendit tim tek ti Bajram? Më ndihmo pak të lutem, se mbase sytë dhe arsyeja ime edhe mund të jenë errësuar, ndonëse nuk kam asnjë shkak, qoftë edhe grimcë, që të jemi motivuar,dhe që ta shihja me keqdashësi telajon tënde që po na ofron publikisht.
Si duket Bajram ti e ke kuptuar gabim realitetin e korruptuar që ka krijuar sistemi që është instaluar në Shqipëri dhe nuk do apo e ketë pamundur që ta shikosh ndryshe me sytë tanë.
Ti je zhvleftësuar. Ku je o Bajram Begaj, se nuk po të shohim më as si qytetar, pa lere më si President?!
Edhe pse të ulën si një kukull në poltronin presidencial, ne shpresuam, se ti do ndjeje sadopak erën e përgjegjësisë etike, të nderit, të detyrës sipërore të kombit, por ndjeshmëria jote ka vdekur, sepse qenia jote ka lidhje vetëm me ekzistencën. Të ishe së paku ndryshe nga këto që ne pretendojmë, do kishe ndoshta kritika, do kishe kundërshtime, mos pajtime ose mospërputhje me aktet e tua publike, ndoshta edhe me dekretet ,por jo një lumë të tillë zemërimi deri në kufijtë e neveritjes.
Me një arsyetim vulgar, që nuk mund të dilte kurrë nga zyra e një Presidenti Republike, ti i kërkon gjykatës superiore që gjykon edhe vendimet e tua, të paligjshme, si çdo vend demokratik perëndimor, të shpallet moskompetenca e vendimit të anulimit te dekretit tënd. “Hajde Bajram Begaj hajde, ku të çon mushka ?”- thuhet më së shumti andej nga labëria jonë. Që je i zgjedhur me dorë për në atë zyrë, kjo është parë me kohë, por jo të kesh maninë e një të çuditshmi dhe të kërkosh të zhbësh tërë shtetin me marrëzinë e një brutaliteti.
Në çdo drejtim që ta shikojmë Bajrami, duket si një krijesë origjinale e kësaj diktature, që nga presidenti deri tek njeriu i thjeshtë…
“Nuk kam turp dhe nuk kini çfarë të më bëni!” – thotë me mesazhin e tij, të veprimeve që i kryen Bajram.
Mesazh tragjik!
Po ku është arsyeja dhe ku është presidenti, tek pretendimi i tij për t’u zhbërë refuzimin e ligjshëm i një dekretit të firmosur nga dora jote për datën e votimeve të zgjedhjeve të parakohshme lokale të Tiranës?!
Kjo është njëlloj sikur ta djegësh publikisht dokumentin themeltar të shtetit, të cilin e ke për detyrim me Kushtetutë që ta mbroje. Pra Kryetari i Shtetit e ka zhveshur veten nga roli i tij si president por dhe si qytetar, për interesa të regjimit dhe është shndërruar në të “ashtu-quajturin President të Republikës”.
Sikur të mos mjaftonte nepotizmi yt, familjari i përfolur gjerësisht, për asgjë, për të shfrytëzuar pushtetin, po dëgjojmë edhe një të pa dëgjuar më parë dhe sigurisht fare të pa besuar, që “i ashtu-quajturi President i Republikës” është dy punësuar në një klinikë private ose jep mësim diku , duke ushtruar profesionin e mjekut ose diçka e tillë!
Deri sa nuk ka një reagim të shpejt publikë kam të drejt të mendoj, se ndoshta po mendohesh për gënjeshtrën e stilin të pushtetit.
Po çfarë të thuash më për Bajramin president!
Historia do çjerrë faqet me ndodhitë e tij të pa dëgjuara , sa qesharake dhe aq dramatike ,ndaj së cilave reagimi në rrjetet sociale është i zhurmshëm ,por duhej që të kishte edhe zhurmën e protestës në rrugë.
Opinioni publike ndaj qytetarit të parë të vendit, duhet marrë edhe më seriozisht mbi sjelljen e tij antikushtetuese, anti morale dhe anti etike, përtej rrjeteve sociale, sepse po vazhduam kështu presidenti tjetër mund të na vijë direkt nga rruga.
Një njeri i opinionit publik dje u shprehë me shumë të drejt se:” Bajrami nuk duhet hequr, por duhet përqeshur!”
Ne fakt, kjo është edhe e vetmja zgjidhje që na ka mbetur në duar , sepse ishte në të mirë të vendit ta hiqnim, por na mungojnë votat për ta hequr. Pushteti që e ka zgjedhur Bajramin me dorë për punët e tij, që t’i mbaj iso avazit, ka bërë një supermazhorancë me votat e grabitura me 83 deputetë dhe Bajramin aty e ka strehën të sigurt dhe aty do ta kemi dhe për disa kohë. Dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse përqeshja. Kjo është zgjidhja e vetme edhe po të duam tashti për tashti. Sepse sidoqoftë edhe përqeshja është njëfarë dënimi.