Deputeti Saimir Korreshi ka dhënë detaje nga mbledhja e Komisionit të Etikës, ku u vendos përjashtimi me 15 ditë nga punimet parlamentare i kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Korreshi tha se, duan të dëmtojnë rolin e opozitës në Kuvend.
Vendimi erdhi si pasojë e përplasjeve mes Bardhit dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi në seancën e fundit plenare.
“Na bënë ulje çmimi, duke qenë se brenda 15 ditësh mbaron raportimi i organeve të drejtësisë, dhe kjo nuk ka qenë asgjë tjetër veçse për të ulur zërin kritik të Kryetarit të Grupit Parlamentar. Ju e keni ndjekur seancën, ku u ngrit pretendimi që: “Ju nuk keni pse të provokoheni”. Jo, ne nuk kemi rënë pre e Kryetarit të Grupit të tyre Parlamentar, Roland Balla, pavarësisht se ai filloi me gjuhë denigruese, dhe ju i keni parë fjalimet e tij çdo 10 minuta – se çfarë mendimi ka dhe çfarë vreri ka hedhur ndaj opozitës. Por ne e kemi pasur qëndrimin tonë për shkak të shkeljes së rregullores nga vendimmarrja e Kryetarit të Parlamentit, z. Niko Me Llesh.
Nuk mund të ketë një gjë që nuk është në rregulloren e Republikës së Shqipërisë. Është viti i pestë që raportojnë organet kushtetuese, dhe sa herë u kemi drejtuar pyetje, sepse edhe ne duhet ta lexojmë. Qëllimi i vetëm është t’i mbyllin zërin opozitës, që organet ligjzbatuese t’i japin përgjigjet sipas qejfit vet, dhe i kemi ndjekur edhe në komisione. Asnjëherë, asnjë organ ligjzbatues, kur ndihet keq nga një pyetje, nuk i është përgjigjur si duhet, por i ka rënë “nga Kina”, sipas mënyrës së vet.
Patjetër që fjala e deputetit prevalon. Ne nuk kemi as rregullore se si drejtohen pyetjet, veçse është bërë si praktikë që 5 minutat e fundit t’i bëjmë pyetjet me shkrim. Ne nuk kemi rënë pre e një provokimi, por ka qenë një reagim për një vendimmarrje që ka qenë e ndryshme nga ajo që duhet të kishin ndjekur kolegët e mazhorancës. Kjo është haptazi për të goditur një nga figurat më të forta – Kryetarin e Grupit Parlamentar – i cili ka denoncuar jo pak herë me pyetje konkrete organet ligjzbatuese përse nuk janë prezent kur ato raportojnë.
Ironia më e madhe që ndodh është se, po të shikoni hyrjet e reja në Parlament, kërkojnë që të mos mbyllet Parlamenti dhe thonë: “Wa, çfarë na bën ne opozita! S’po na jep qetësi të flasim për hallet e popullit!”, tha Korreshi.