Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, është i domosdoshëm krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre.
Berisha u shpreh se, ky parlament është “skeletik”, pasi deputetët nuk kanë mbështetje për të zhvilluar kontakte të vazhdueshme me zgjedhësit dhe për të mbështetur aktivitetin e tyre legjislativ.
“Në këtë kuadër, një organizim, një transformim i madh i punës së parlamentit duhet të bëhet.
Ju jeni deputetë me duar në xhepa. Jeni njerëz pa asnjë staf çka e gjymton punën e parlamentit.
Jeni njerëz pa staf, qoftë për kontaktet e vazhdueshme me zgjedhësit, por jeni njerëz pa staf qoftë për mbështetjen e veprimtarisë tuaj në parlament.
Ky është një parlament skeletik ta quajmë. Kur imagjinoj se jepen 220 mijë rroga në administratë dhe këto, dhe sheh parlamentarët pa asnjë ndihmës, ose të paktën të zënë dy-tre së bashku një zyrë… kjo është si ta përthash parlamentin.
Ndaj dhe gjykoj se është e domosdoshme krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre.
Ishte e gabuar, ua them unë ju këtu, rritja e rrogave të deputetëve. Jo se kanë ndonjë rrogë, të themi, stratosferike. Por shumë më e drejtë do të ishte shpenzime edhe më të mëdha për stafe të parlamentit.
Për ta bërë parlamentin ai institucion që duhet të jetë”, tha Berisha.
