Tabaku: U vodhën 430 milionë euro të inceneratorëve, SPAK nuk lëviz…

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend u shpreh se, çështja e inceneratorëve nuk është thjesht një aferë korruptive, por një manual i kapjes së shtetit. Sipas saj, dy biznesmenë pa asnjë lidhje me menaxhimin e mbetjeve kanë përfituar 430 milionë euro duke diktuar vendimet e qeverisë dhe të Këshillit Bashkiak, duke u shndërruar në një grup të strukturuar kriminal.

Tabaku rikujtoi se, Partia Demokratike e ka nisur këtë çështje që në vitin 2017 me një interpelancë ndaj ish-ministrit Gjiknuri, ndërsa në 2020 solli tre dosje për tre inceneratorët e qyteteve.

“Çështjen e inceneratorëve Partia Demokratike e ka nisur në vitin 2017 me një interpelancë atëherë me zotin Gjiknurin. Vitin 2020 kemi sjellë tre dosje për tre inceneratorët e tre qyteteve. Më pas si kryetare e Komisionit Hetimor të inceneratorëve kam sjellë 12 padi të veçanta, duke nisur nga kryeministri zoti Edi Rama, Engjëll Agaçi, Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Armando Subashi, Erion Veliaj, Emiriana Sako e kështu me radhë. Asnjë prej tyre nuk është sot përpara drejtësisë. Kjo është një çështje që tregon se si, është një manual perfekt i kapjes së shtetit. Është manuali ku dy biznesmenë me duar në xhepa vijnë dhe marrin 430 milionë euro.

Biznesmenë të cilët nuk kanë asnjë lidhje me menaxhimin e mbetjeve, që i shkruajnë vendimet e qeverisë, që shkruajnë vendimet e Këshillit Bashkiak, që mbledhin qeverinë, që miraton 17 vendime qeverie brenda ditës dhe është manuali perfekt i një grupi të strukturuar kriminal. Drejtësinë për inceneratorët tetë vite kemi që e kërkojmë. Jo për mua si deputete e këtij parlamenti, as për mua si qytetare, as për SPAK-un, po për të treguar që në Shqipëri ka shpresë dhe do ketë shpresë.

Dhe unë besoj që lakmuesi i SPAK-ut është pikërisht inceneratorët dhe inceneratori i Tiranës. Kam ardhur dy herë në SPAK si person në dijeni për inceneratorin e Fierit dhe inceneratorin e Elbasanit dhe arsyeja që ju pyeta për Tiranën është pikërisht kjo. Në momentin që një grup prej 12 personash që nuk mund të kishin vepruar të lirë ka kryer këtë procedurë, ka paguar 430 milionë euro, vazhdon dhe paguan 430 milionë euro, do të thotë që drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë. Disa janë më të barabartë se të tjerët”, tha Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Raporti i Komisionit Europian/ Zgjedhjet ishin të pabarabarta, korrupsioni i përhapur kudo

GJETJE E RAPORTIT Shqipëria ka mbajtur angazhim të lartë në procesin e integrimit evropian, teksa …